Kulturë

Mitrovica e kinemave ringjallet vetëm në kujtime

Secili nga të intervistuarit ka versionet e ndryshme të shprehjes emocionale për kinematë. Por e përbashkëta e gjithsecilit është keqardhja e humbjes së kinemave të Mitrovicës. Rrëfimet e personaliteteve të ndryshme, fotografitë e objekteve, të posterëve e titujve të filmave që kanë bërë bujë në Jugosllavi, përmblidhen në librin “Kinematë e humbura të Mitrovicës - kujtime” të Nora Prekazi-Hotit. Në esencë të librit janë paradoksi e kontrasti midis dy kohëve për qytetin dikur me shtatë kinema, sot pa asnjë

“Përshtypja është ndryshe kur shkon në kinema, sepse të merr madhësia e ekranit dhe publiku, është krejt tjetër ndjenjë”, thotë polici mitrovicas Shpend Feka në intervistë. Mirëpo tash ai dhe bashkëqytetarët e tij këtë emocion e kanë të venitur. Kinemaja për ta është si një siluetë që gjithmonë është në ikje dhe kurrë s’mund të arrihet. Pas mbeten veç ca dromca kujtimesh si gojëdhëna, të cilat edhe ashtu kanë qenë gati në humbje.

Gani Barani, një tjetër përjetues i kinemave të begata të qytetit buzë Ibrit, e cilëson kinemanë si mënyrën e vetme për t’u njoftuar e inspiruar, në një kohë kur “s’kishte dritare tjetër për ta parë botën”.

“Një qytet pa kinema nuk është qytet”, thotë Ismajlhaki Beqiri.

Për aktoren Melihate Qena kinemaja është ura e vetme e lidhjes me artin për atë kohë.

“Deri në vitin 1966, kur ra Rakonviqi, ne shqiptarët të vetmin argëtim edhe media e kemi pasur kinemanë”, thotë Bejtë Jusufi.

Image
“Kinematë e humbura të Mitrovicës – kujtime”, do të shërbejë edhe për kontrastin e qytetit të dikurshëm me shtatë kinema, sot pa asnjë (Foto: Kushtrim Hoti)

Secili nga ta kanë versionet e ndryshme të shprehjes emocionale për kinematë. Por e përbashkëta e gjithsecilit është keqardhja e humbjes së shtatë kinemave aktive veç në qendër të qytetit, nga vitet ‘30 deri në vitet ’90 në intervale të ndryshme kohore.

Mirëpo pikërisht për mos-humbjen e këtyre 25 rrëfimeve, njohjes së gjeneratave të reja me kulturën në Mitrovicë dhe në fund fare, edhe marrjen e ndonjë iniciative të themelimit të një kinemaje në qytet, kishte nisur rrugëtimi i projektit “Në kujtim të kinemave të Mitrovicës”, i cili në shtator pati lansimin e videos.

Por për kontrastin midis qytetit me shumë kinema në atë pa asnjë, do të shërbejë edhe libri “Kinematë e humbura të Mitrovicës – kujtime”, i cili me autorësinë e Nora Prekazi – Hotit u promovua në ish–bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë të martën pasdite.

Në 79 faqe përmblidhen fotografi të kinemave “Zvezda”, “Kino Armata”, “Tesla”, “Kej Lushta” dhe të atyre në rrethinë si ajo e Stantërgut. Renditen njëri pas tjetrit posterët e filmave, të cilët dëshmojnë se publikut mitrovicas i janë servuar filmat me nam në Jugosllavi e të huaj. Aktorë, regjisorë, tonistë, staf teknik, shikues, hapin sirtarin e kujtimeve për të rrëfyer me mllef për humbjen e Mitrovicës, teksa epilogu i krejt kësaj historie është rrënim objektesh, privatizim, ndërtime të pasluftës e zhdukje totale të gjurmëve.

“Inspirimi ka ardhur në shtëpi prej prindërve që kanë jetuar në një qytet shumë më ndryshe nga qyteti që jam rritur unë”, thotë autorja e librit, Nora Prekazi – Hoti. “Është me rëndësi që gjeneratat e reja me e kuptu që ka pasur infrastrukturë, ka pasur shumëçka”.

Sipas saj, gjatë intervistave me personalitete të ndryshme që kanë përjetuar kinematë e Mitrovicës, para syve i ka dalë një botë e madhe. Kështu edhe u rrit veç më shumë që ky libër të jetë një thirrje për studiuesit e mëtutjeshëm që të gjurmojnë për historinë e kinemave të Mitrovicës.

“Kur fillon një rrugëtim është njëfarë rritjeje personale gjithherë. Unë jam kënaqur. Intervistat jemi munduar t’i lëmë në rrjedhën e vet, kujtimet e tyre (të ndihen), jo qasja ime”, ka thënë antropologia e cila punon në Muzeun e Mitrovicës.

Për të, ky rrugëtim ka qenë ndër më të veçantët. Por që pavarësisht kësaj, ka qenë edhe proces i vështirë dhe i dhimbshëm për faktin që nuk ekziston asnjë kinema nga ato që kanë qenë.

“Unë e kam kujtesën e prindërve të mi, po s’është e imja. Unë kam shkuar veç një herë në kinema, por dua që fëmijët e mi ta kenë atë kujtesë”, përfundoi ajo.

Ndërkaq aktorja me prejardhje mitrovicase, e cila ishte pjesë e panelit, Melihate Qena, ka thënë se humbja e këtyre kinemave është e dhimbshme, aq më shumë për një qytet në të cilin kanë lulëzuar rocku, muzika, lojërat moderne e artet përgjithësisht.

“Na jemi popull shumë i çuditshëm. Kemi dëshirë me e fshi krejt ça ka ekzistu para meje”, ka thënë ajo. “Një qytet që ka pasur tri kinema aktive që vazhdimisht kanë punuar ‘Teslla’, ‘Zvezda’ edhe ‘Palace’, që i kam mbërri unë edhe tash s’e ka asnjë, s’e ka as teatrin, është në fund të pusit”.

Kujtimet i ndërton njëri pas tjetrit. Dëshmon se kinemaja, si për shumë të rinj të asaj kohe, ka qenë pjesë e pandashme e jetës së tyre.

Image
Pos kujtimeve në libër vijnë edhe disa imazhe që dëshmojnë se si tash për shumicën prej kinemave s’ka mbetur as edhe një gjurmë e vetme (Foto: Kushtrim Hoti)

“Kur nuk shkoja unë, shkonte vëllai, Nehati. Ai në mbramje na e shpjegonte filmin, një ndër filmat që ma ka shpjegu ka qenë ‘Titaniku’. Pas atij shpjegimi i kam parë nja pesë versione, por asnjë s’ka qenë më interesant se ai”, tregon Qena.

Për të, me humbjen e këtyre kinemave janë rrënuar edhe kujtimet e mira që i kanë pasur nga ajo kohë. Ndërkaq gjatë panelit shpesh ka pyetur pse ka ardhur gjendja deri këtu.

“Foajeu kur hyja, aty të lyera dërrasat me katran, i vinte njëfarë ere, por mua më pëlqente. Mandej fotografitë e aktoreve, si hyja aty mbetesha t’u këqyr lart, hyja në një botë tjetër”, përshkruan Melihate Qena.

Aktori dhe regjisori Sadedin Prekazi ka thënë se Mitrovica si qytet ka qenë avangarde me shumë dimensione artistike. E fajëson gjeneratën e re që s’konsultohet sa duhet për t’u informuar për gjendjen e dikurshme, ndërkaq ka pikëpyetje për mënyrën se si janë humbur këto kinema.

“Meqë atëherë ishte interesimi jashtëzakonisht i madh, hynin njerëzit në rend. Ishin disa që merrnin (bileta) nga disa, quheshin ‘stërshitësit e biletave’. Këta dilnin para kinemasë dhe e shitnin me çmim më të madh (biletën). E pata praktiku, hyja qashtu. I thosha dikujt: ‘A po ma merr edhe mu njo’, bëheshin pesë bileta në një dorë, pesë në tjetrin dhe ato i shisja”, kujton Prekazi.

Tash për të s’ka kinema publike e as private nëpër qytete të tjera që e përmbush njësoj, sikur kujtimet e Mitrovicës në të shkuarën.

“Një qytet i tillë me gjithë ato hapësira për shfaqje, për filma, sot mos ta ketë asnjë vend”, thotë ai me habi. “Në atë objekt ku janë dhënë filmat, janë dhënë edhe shfaqjet. Legjendat e filmit shqiptar (kanë luajt) në çdo film të Jugosllavisë”.

Ndërkaq fotografi e kameramani Shukri Kaçaniku daljen në dritë të këtij libri e cilëson si hap të madh për kulturën e Mitrovicës.

“Me e pa mitrovicasit çka kanë pasur e çka kanë humbur”, thotë ai si qëllim të librit. “Në kohën time si djalosh kanë qenë katër - pesë kinema, tash në shekullin 21 asnjë s’është, s’di, s’ka gjynah ma të madh që mundet një qytet me ia ba kulturës së vet”.

Tregon se për moshatarët e tij në atë kohë, aktivitetet e vetme kanë qenë kinemaja, noti në Ibër ose Sitnicë dhe futbolli.

“Na që s’kemi ditë me luajt futboll, kemi notuar dhe kemi shkuar në kinema. Unë kam qenë në kinemanë në Zveçan herë në këmbë, herë në autobus, e cila ka pasë sallë prestigjioze”, përfundon Kaçaniku.

Fillimet e shfaqjes së filmave në Mitrovicë ishin me improvizime sallash nëpër hotelet si “Parisi”, “Palace” dhe “Jadrani”. Më vonë kinemaja e fitoi destinimin institucional përmes ngritjes së “Kino Teslla” dhe “Kino Zvezda”. Ndërkaq si salla për shfaqje të filmave përveç hoteleve kanë qenë edhe qendra e kulturës “Kej Lushta” dhe Shtëpia e Armatës. Secila prej tyre ka qenë aktive nëpër periudha të ndryshme kohore, duke e bërë një zinxhir aktiv të rrjetit të kinemave në këtë qytet.