Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Mal të Zi po mbahen zgjedhjet parlamentare

Sot në Mal të Zi po mbahen zgjedhjet për parlamentin e ri. Shqiptarët në këto zgjedhje janë me dy lista, Lista Shqiptare dhe Koalicioni Shqiptar. Qendrat e votimit janë hapur në 7 të mëngjesit. 

Njëkohësisht janë duke u mbajtur edhe zgjedhjet lokale në tri komunat bregdetare: Budvë, Kotor dhe Tivat, dhe në dy komuna më të vogla në veri: Andrijevicë dhe Guci.

Këto zgjedhje janë mjaft të rëndësishme për Malin e Zi, veçanërisht lidhur me aspiratat e vendit për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, një aspiratë e përbashkët për shumë vende të rajonit, si dhe për legjitimitetin e Parlamentit, duke marrë parasysh kontestimin e zgjedhjeve të mëparshme të 2016-s nga opozita dhe bojkotimin e mëvonshëm të punimeve parlamentare prej saj.

Zgjedhjet po zhvillohen përkundër një mosbesimi të qytetarëve ndaj institucioneve të shtetit dhe ndarjeje të shoqërisë lidhur me identitetin kombëtar të Malit të Zi.

Partia aktualisht në pushtet, Partia Demokratike e Socialistëve, ka drejtuar vendin pa ndërprerje që nga viti 1991. Mbajtja e zgjedhjeve nën situatën e pandemisë globale COVID-19 paraqet një sfidë të shtuar.

Nga dymbëdhjetë lista kandidatësh që aplikuan për të garuar në zgjedhjet parlamentare, shtatë të paraqitura nga parti politike dhe pesë nga koalicione, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve regjistroi njëmbëdhjetë, pesë prej të cilave përfaqësojnë pakica kombëtare, dy shqiptare, një boshnjake dhe dy kroate. Zgjedhjet do të mbahen për të zgjedhur 81 deputetë për katër vitet e ardhshme.

Një numër vëzhguesish vendas dhe ndërkombëtarë po vëzhgojnë Zgjedhjet Parlamentare 30 gushtit në Mal të Zi, përfshirë Rrjetin Europian të Organizatave të Monitorimit të Zgjedhjeve (ENEMO).

Edhe Mbi 50 % dalja në zgjedhje në Mal të Zi Botë Mbi 50 % dalja në zgjedhje në Mal të Zi

Rezultati këtë radhë konsiderohet më i paparashikueshëm se në zgjedhjet e kaluara.

Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Milo Gjukanoviq synon fitoren e njëmbëdhjetë pas 30 vitesh në pushtet, ndërsa opozita e renditur në disa blloqe, kërkon me ngulm ndërrimin e pushtetit. Zgjedhjet zhvillohen në atmosferën e një hendeku mes bllokut promalazez dhe atij proserb, që u thellua pas miratimit dhjetorin e kaluar të ligjit për liritë fetare, të pasuar me konflikte mes shtetit dhe kishës.

Ndërkohë, përfaqësues politik në Kosovë e Shqipëri, u kanë bërë thirrje shqiptarëve në Mal të Zi, që të votojnë dy listat shqiptarë ku janë bashkuar disa nga subjektet politike shqiptare në këtë vend, në mënyrë që shqiptarët të kenë ndikim sa më shumë në Mal të Zi./KSP