Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Luginë, vetëm 28 për qind e të punësuarve në institucione publike janë shqiptarë

Në Luginë, vetëm 28 për qind e të punësuarve në institucione publike janë shqiptarë

Vetëm 28 për qind e të punësuarve në institucionet publike të Luginës në Preshevës janë shqiptarë, sipas hulumtimit “Fakte në numra” të Këshillit Kombëtar Shqiptar, ka njoftuar kryetari në detyrë i këtij Këshillit, Ragmi Mustafi.

Mustafi ka thënë se Lugina mbetet rajoni me pagën mesatare rreth tri herë më të ulët se Beogradi e me papunësi mbi 60 për qind. Sikurse të mos mjaftojë kjo, Mustafi ka thënë se komuniteti shqiptar vuan nga nënpërfaqësimi, mosintegrimi dhe diskriminimi në mungesë të vullnetit politik.

“Centralizimi i institucioneve me një diskurs albanofobik ka dezintegruar Luginën dhe ka agravuar segregacionin. Sot kemi më pak gjykata e gjykatës në Luginë seç kishim para një dekade. Më (as)pak prokuror, më pak polic, më (as)pak zjarrfikës, më (as)pak inspektor republikan e shumë institucione nuk kanë asnjë shqiptar të përfshirë (kadastra, etj)”, ka shkruar ai në Facebook.

Në Luginën e Preshevës, siç ka shkruar Mustafi, shqiptarët përfaqësohen në institucione ndërmarrje publike me 28 për qind, apo nga 5472 të punësuar janë 1542 pjesëtarë të komunitetit shqiptar.

“Ndryshe, në institucione dhe ndërmarrje publike të Komunës së Medvegjës punojnë 6% shqiptar, apo nga 538 janë 32 shqiptarë. Në komunën e Bujanocit, punojnë 35% shqiptar, apo nga 2011 janë 695 shqiptarë. Në komunën e Preshevës në institucione dhe ndërmarrje publike punojnë 66% apo nga 1205 janë 801 shqiptarë”, ka shkruar Mustafi.

Edhe Sveçla: Spastrim etnik në Luginë të Preshevës, Serbia të ndëshkohet nga faktori ndërkombëtar Arbëri Sveçla: Spastrim etnik në Luginë të Preshevës, Serbia të ndëshkohet nga faktori ndërkombëtar

Çështja e komuniteteve pakicë në Kosovë dhe Serbi është kthyer në temën kryesore javëve të fundit pas rritjes së presionit që Kosova ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Qeveria e Kosovës, që ka refuzuar ta formojë, ka thënë se për këtë çështje dëshiron parimin e reciprocitetit. Madje ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, është duke pritur një përgjigje nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, të cilën e ka ftuar në një takim që për qëllim do të kishte diskutimin mbi modelin e garantimit të lirive dhe të drejtave të pakicave. Krasniqi e ka sfiduar Bërnabiqin, pasi kryeministrja serbe theksoi se nëpërmjet Këshillit Kombëtar të Pakicave, shteti që përfaqëson përbën model se si garantohen të drejtat e komuniteteve.