Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Në Kosovë nuk ka më shumë se 800 – 900 mijë shqiptarë”

Lëvizja Popullore e serbëve të Kosovës e Metohisë “Atdheu” (Narodni pokret Srba sa Kosova i Metohije “Otadžbina”) përmes një shkrimi të vet ankohet se përfaqësuesit e lartë të pushtetit aktual në Serbi po e rrisin numrin e shqiptarëve që jetojnë në Kosovë.

Shkrimi të cilin e ka publikuar portali “danas”, ka marrë shembull këshilltarin e kryetarit serb Nikola Selakoviq. Sipas këtij shkrimi, transmeton Koha.net, Selakoviq, në një takim për dialogun ndërserb në Laplasellë te Prishtina ka thënë se “në krahinën jugore serbe jetojnë 1.9 milionë shqiptarë. Nënkryetarja e Qeverisë serbe ka shkuar edhe më larg dhe vlerëson se numri i shqiptarëve është mbi dy milionë. Në mënyrë analoge, Aleksandar Vuçiq ka thënë se në Prokuple se më shumë shqiptarë jetojnë në Podujevë se sa në banorë në gjithë Toplicën.

Sipas këtij shkrimi, të cilin Koha.net e sjell në tërësi, e vërteta është krejtësisht ndryshe.

“Në zgjedhjet e shkuara separatiste parlamentare në vitin 2017, në votime kanë dalë 420 mijë shqiptarë. Ky është raport i KQZ-së të shtetit të vetëshpallur. Në këtë numër janë përfshirë edhe romët e boshnjakët. Është e ditur se shqiptarët, kur bëhet fjalë për zgjedhje, marrin pjesë masivisht. Marrë para sysh këtë, numri i shqiptarëve që sot jetojnë në Kosovë lëviz ndërmjet 800 mijë e 900 mijë”.

Pas këtij “konstatimi”, shkrimi i Lëvizjes... jep edhe “argumentimin”:

Edhe Në Kroaci ka rreth 14 mijë shqiptarë Arbëri Në Kroaci ka rreth 14 mijë shqiptarë

“Pas vitit 1999, një pjesë e madhe e shqiptarëve që migroi në Perëndim, nuk u kthye më në shtëpi.

Me ardhjen e trupave pushtuese ndryshon edhe mënyra e jetesës së popullatës shqiptare. Raporti tradicional patriarkal në familje është zhdukur. Narkomania dhe prostitucioni kanë marrë vrull e nataliteti është zvogëluar në mënyrë rapide.

Deri në vitin 1990 numri i lindjeve te shqiptarët në krahinën jugore serbe ka qenë 31 mijë, tash është rreth 17 mijë.

Rruga e migrimit në vendet perëndimore vazhdon pa ndërprerë që nga viti 1999. Kështu, sipas pohimit edhe të autoriteteve në Prishtinë, vetëm në vitin 2015 Kosovën e kanë braktisur 120 mijë shqiptarë, kryesisht shqiptarë të rinj.

Shkaqet ekonomike dhe hendeku gjithnjë e më i thellë ndërmjet shqiptarëve të pasur dhe atyre ekstremisht të varfër, janë shkaktarët kryesorë të shkuarjes së tyre në vendet e Perëndimit.

Nuk duhet të jesh ekspert statistike e të mos vëresh se në shumë qytete e fshatra shqiptare po zvogëlohet në mënyre rapide numri i banorëve. Nuk është më ai popull që deri në vitin 1999 vlonte nëpër rrugët e Kosovës dhe Metohisë. Nëse, për shembull, natën udhëtoni në relacionin Prishtinë – Mitrovicë, vërehet se çdo e treta shtëpi është e pandriçuar.

Pas miratimit të demarkacionit, kur supozohet se Kosova do të marrë vizat Schengen, pritet që migrimi i shqiptarëve të jetë edhe më i madh, që do të thotë se struktura kombëtare do të jetë më e favorshme për serbët”, transmeton Koha.net.

Pasi i ka bërë të gjitha këto “zbulime”, shkrimi i Lëvizjes..., e ka pyetur Aleksandar Vuçiqin dhe vartësit e tij “pse përpiqen që qytetarët e Serbisë t’i frikësojnë me numrin e shqiptarëve? Duke folur para disa ditësh në një konferencë shtypi ai ka thënë se në periudhën e ardhshme nga 10 komuna në jug të Ibrit, vetëm në një komunë, në Shtërpcë, serbët do të mbesin shumicë. Kjo është gënjeshtër marrë para sysh se të gjitha këto komuna nga Prishtina janë krijuar sipas parimit të getos. Numri i serbëve në to sillet nga mbi 90 për qind dhe është vështirë të besohet se ky raport në të ardhmen e afërt mund të ndryshojë. Kufijtë e këtyre komunave janë pranuar nga Vuçiqi me Marrëveshjen e Brukselit dhe një numri të tyre, si ajo e Parteshit dhe e Kllokotit, u është pamundësuar dalja natyrore në kufirin administrativ me Serbinë qendrore. Kjo vetëm sa tregon se sa i ka mbetur këtij pushteti për serbët e Kosovës.

Edhe Kolumne Mirë se vini në vitin 1970

Qëllimi i rritjes së numrit të shqiptarëve dhe i zvogëlimit të numrit të serbëve është përpjekje e Aleksandar Vuçiqit të heqë dorë nga krahina jugore serbe. Ai mendon se qytetarët e Serbisë do t’i bindë më lehtë që humbja e territorit të arsyetohet me realitetin e realiteti është se në Kosovë e Metohi jetojnë 95 për qind shqiptarë. Këtë e thotë vazhdimisht kryetari i Serbisë. Në zgjedhjet e shkuara kanë marrë pjesë 50 mijë serbë, që do të thotë 15 për qind. Indikative është se gjatë pushtetit të vet gjashtëvjeçar, Aleksandar Vuçiqi asnjëherë nuk e ka përmendur problemin e kthimit të 220 mijë serbëve të dëbuar nga Kosova”.

Në fund kjo Lëvizje ka shkruar: “Aleksandar Vuçiq në vitin 2012 u ka premtuar mentorëve të vet perëndimorë se do të heqë dorë nga Kosova e Metohia. Për këtë arsye ai mashtron, gënjen, manipulon, përdor të gjitha mjetet e mundshme e të pamundshme që këtë premtim ta përmbushë. Ai e di mirë se ata me të cilët ka bërë marrëveshje, në rast mashtrimi, janë shumë brutalë. Fati i kryeministrit të ndjerë Zoran Gjingjiq përmendet qartë. Sot qytetarët e Serbisë janë peng i premtimit të çmendur të kryetarit të Republikës që për shkak të ardhjes në pushtet duhet ta dorëzojë krahinën jugore serbe”.