Arbëri

Në Kosovë lirshëm tregtohet me dinarin e Serbisë

Dinari i Serbisë qarkullon lirshëm në të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë. Përveç në bizneset serbe, me të bëhen pagesa edhe në ato shqiptare që funksionojnë në veri. Ky përdorim është i jashtëligjshëm dhe ekspertët thonë se mundëson rritjen e informalitetit. E informaliteti në markete në veri është lehtë i verifikueshëm – ato nuk lëshojnë kuponë fiskalë për mallin që shesin

Kushtetuta e Kosovës përcakton që brenda Republikës, si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme. E ligji saktëson se ajo është euroja.

Por, në komunat me shumicë serbe përdoret një tjetër valutë.

Në katër komunat e veriut, por edhe në një numër sosh në jug të Ibrit, dinari i Serbisë është larg më i qarkullueshëm sesa euroja.

Në Shtërpcë tregojnë se shqiptarët janë të obliguar që euron ta këmbejnë me valutën e shtetit të Serbisë, me qëllim që të blejnë produkte ushqimore e të tjera.

Shpejtim Arifi, asamblist nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, ka një kërkesë ndaj institucioneve qendrore.

“Në Komunën e Shtërpcës përdoret valuta zyrtare e shtetit të Serbisë, pra dinari. Kjo është shkelje dhe e kundërligjshme, andaj ftoj organet e shtetit të Kosovës të merren me këtë rast dhe të ndërhyjnë që kjo valutë ilegale të mos përdorët më, jo vetëm në Shtërpcë, por në gjithë territorin e Kosovës”, ka thënë Arifi.

Edhe në Mitrovicë të Veriut, në disa prej marketeve serbe as nuk bëhet fjalë për pagesa me euro. E, aty ku paguhet me euro kthimi i kusurit sërish bëhet në dinarë.

Por, nuk janë vetëm dyqanet serbe ato që funksionojnë me këtë valutë të kundërligjshme. Edhe marketet me pronarë shqiptarë e pranojnë lehtë atë.

Për të vërtetuar përdorimin e saj, ekipi i KOHËS ka blerë produkte në disa prej tyre, ku pagesën e ka bërë në dinarë.

Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, thotë se nxjerrja në qarkullim e monedhave dhe kartëmonedhave të huaja, përveç asaj që është e përcaktuar me Kushtetutë, është antiligjore dhe në kundërshtim me ligjin për BQK-në.

“Qarkullimi i dinarit në çfarëdo pjesë të Kosovës konsiderohet ilegal dhe jokushtetues dhe mbi të gjitha kjo mundëson edhe rritjen e informalitetit, gjegjësisht rritjen e dukurive të cilat janë shumë negative në vend, përfshirë edhe ikjen nga tatimet”, ka thënë ai.

Bizneset serbe në veri që përdorin dinarin, nuk paguajnë tatim. Gjatë blerjes në to, KOHA i ka pyetur për lëshimin e kuponit fiskal, por shitësit kanë thënë se nuk posedojnë. Në vend të kuponit fiskal, dyqanet lëshojnë një faturë me totalin e blerjeve.

Për këtë problem KOHA i ka dërguar pyetje Administratës Tatimore të Kosovës, zyrtarë të së cilës e kanë pranuar se kanë vështirësi operimi në veri, porse arsyetohen se të njëjtat probleme i kanë edhe institucionet e tjera.

“Aktivitetet e Administratës Tatimore të Kosovës zhvillohen edhe në veri, përjashtimisht disa rasteve kur kontrollet duhet të bëhen me asistencë të Policisë së Kosovës. Vlen të theksohet se njëra nga bizneset e asaj pjesë është deklaruesi me i madh në të hyrat e rajonit të Mitrovicës, patjetër që nevoja është edhe më e madhe për futjen në sistemin tatimor të të gjitha bizneseve, por vështirësitë për operim në atë pjesë janë nga të gjitha institucionet”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Sipas këtij institucioni, numri i bizneseve aktive në katër komunat në veri të Mitrovicës është 1 mijë 292 sosh.

“Të hyrat e inkasuara nga katër komunat veriore Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut për periudhën janar-gusht 2022 janë në vlerë 1,217,957 euro, ndërsa për të njëjtën periudhë të këtij viti janë 1,132,213 euro”, thuhet në përgjigje.

Në Bankën Qendrore nuk u janë përgjigjur konkretisht pyetjeve për atë se çfarë masash ndërmarrin kur ka qarkullim kaq të madh të dinarit dhe sa është shifra më e lartë e qarkullimit të dinarit serb në Kosovë brenda një viti.

Zyrtarë të këtij institucioni janë shprehur se, sipas legjislacionit në fuqi, në Kosovë valutë zyrtare për pagesat e detyrueshme është euro dhe se BQK-ja është mandatuar me anë të Ligjit, për furnizimin e ekonomisë me këtë valutë.

“Ju njoftojmë se sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përkatësisht Neni 11, si mjet i vlefshëm i pagesës përdoret vetëm një valutë e vetme. Republika e Kosovës ka adaptuar përdorimin e euros në mënyrë unilaterale, me legjislacionin e kohës. Sipas legjislacionit në fuqi, në Republikën e Kosovës valutë zyrtare për pagesat e detyrueshme është euro”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Në vitin 2002, Kosova e zëvendësoi markën gjermane me euron, e serbët në veri e në vendbanimet e tjera ku janë shumicë, vazhdojnë ta përdorin dinarin.