Sot u mbajt diskutimi i hapur me qytetarët mbi Edukimin seksual gjithëpërfshirës (ESG). Ky diskutim u organizua nga Koalicioni K10, që përbëhet nga dhjetë organizata joqeveritare për shëndetin dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese, përkrahur nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA), Zyra në Kosovë, dhe nga Ministria e Shëndetësisë.
Ky diskutim tregoi rolin e rëndësishëm të ESG në parandalimin e rezultateve negative të shëndetit seksual dhe riprodhues tek të rinjtë dhe gjithashtu shërbeu si platformë për të diskutuar çështjet gjinore dhe të drejtat e njeriut. Sidoqoftë, synimi i këtij diskutimi ishte edukimi i rinisë për seksualitetin dhe rreziqet të cilat vijnë nga kjo, si pasojë e mosedukimit të adoleshentëve, duke marrë parasysh që studimi i bërë nga UNFPA tregon se një në katër adoleshentë aktivë seksualisht nuk përdorin asnjë mjet mbrojtës ndaj sëmundjeve të transmetueshme seksuale (STI), HIV, apo shtatzënive të paplanifikuara.
Dr. Visare Mujko-Nimani nga UNFPA shpjegojë që “Kosova, në krahasim me vendet në rajon, është vendi më pranues i termit në përgjithësi. Nuk ekziston asnjë barrierë, as ligjore as institucionale, në përpilimin e kurrikulave për edukimin seksual “.
Ndërsa, Prof.Dr. Ilir Begolli nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik deklaroi që “Instituti shërben si platformë në hartimin dhe implementimin e programeve edukative mbi seksualitetin, por edhe si qendër për trajnimin e kuadrove të reja. Interesimi për implemetimin e këtyre programeve nga ana e nxënësve është shumë i madh, mirëpo vërehet ngurrimi nga ana e mësimdhënësve.”
Në këtë diskutim ishin të ftuar edhe përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, mirëpo në mungesë të prezencës, diskutimi nuk mundi të adresojë pikëpamjet e tyre institucionale.
Diskutimet e tilla të hapura me qytetaret do të vazhdojnë të organizohen nga Koalicioni K10 që të adresojnë tema të shëndetit seksual dhe riprodhues me qytetarët.
-
Edukimi seksual në shkollat kosovare, lëndë e nevojshme
-
Edukimi seksual gjithëpërfshirës ende një tabu
-
MASHTI e quan propagandë debatin mbi përfshirjen e edukimit seksual në kurrikulën e saj arsimore
-
Nagavci flet për inicimin e programit master për edukatë seksuale gjithëpërfshirëse
-
Edukata seksuale në shkolla mbetet tabu