Arbëri

Në Jarinjë, kushdo që hyn, i nënshtrohet kontrollit mjekësor për koronavirus

Babë e bir para se të hyjnë në Kosovë iu nënshtruan kontrolleve mjekësore në pikën kufitare me Serbinë, në Jarinjë.

Shumë familje që po vinin nga Serbia të hënën u kontrolluan nga stafi mjekësor si masë parandaluese për përhapjen e koronavirusit, raporton KOHA.

“Kam ardhur nga Kraleva bashkë me të birin. Tani po shkojmë në shtëpi. Nuk po frikësohemi nga virusi”, ka thënë njëri qytetar serb.

Një ekip i mjekëve nga Vushtrria dhe Skenderaj janë duke qëndruar 24 orë në këtë pikë kufitare dhe po kontrollojnë çdo pasagjer para se të hyjë në Kosovë, derisa këtu nuk po qëndron asnjë ekip mjekësor nga komunat me shumicë serbe.

Por, pavarësisht këtyre kontrolleve, ata theksojnë se kujdesi i qytetarëve duhet të jetë i shtuar.

Ndërkohë disa kilometra larg kufirit me Serbinë, në Mitrovicën Veriore janë mbyllur lokalet dhe restorantet.

Prapa kamerave disa nga qytetarët kanë thënë se u përgjigjen vetëm rekomandimeve të qeverisë serbe.

KTV-ja ka provuar të marrë një qëndrim nga kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, por ai nuk ka dashur të flasë.