Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Gjilan, katër këshilltarë komunalë të PDK-së nuk u binden vendimeve të partisë

Feim Azemi

Në degën e Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan vazhdojnë mosmarrëveshjet, të cilat po pasqyrohen edhe në seancat e Kuvendit Komunal.

PDK-ja ka vendosur për bojkotimin e seancave të Kuvendit meqë nuk është marrë parasysh kërkesa e tyre që të rishqyrtohet lokacioni i varrezave të reja të qytetit, shkruan sot Koha Ditore. Ky subjekt politik vlerëson se lokacioni për ndërtimin e varrezave të reja të qytetit nuk është i përshtatshëm. Mirëpo vendimet e partisë nuk janë duke i përfillur 4 këshilltarët komunalë, të cilët po marrin pjesë nëpër seanca.

Këta këshilltarë kanë deklaruar se organet e partisë nuk kanë zhvilluar konsultime me ata kur është vendosur që të kundërshtohet lokacioni për varrezat e reja të qytetit. Të pakënaqurit e PDK-së, Shefik Surdulli, Hevzi Xhelili, Imrane Thaçi, si dhe Erlehta Osmani nuk janë duke pranuar vendimet e partisë meqë i kanë cilësuar si destruktive.

Kryetari i Degës së PDK-së, Qemajl Mustafa, është zotuar se do të ndërmerren masa ndaj këtyre këshilltarëve komunalë. Ai i ka deklaruar gazetës se këta këshilltarë komunalë të pabindur do të përballen me nivelin qendror të partisë.

Ai deklaron se arsyeja që këta këshilltarë komunalë po refuzojnë vendimet e partisë janë të pakënaqur meqë nuk kishin arritur në të kaluarën që të impononin një kandidat për kryetar të degës. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)