Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se në javën e ardhshme do të publikohet lista e emrave të uzurpatorëve të pronës publike.
Në mbledhjen e sotme të bordit të drejtorëve, kreu i Gjilanit ka thënë se nuk do të ketë tolerancë për kategorinë e uzurpatorëve, të cilët për 20 vite e kanë shfrytëzuar pronën publike.
“Në takim u diskutua edhe për arritjet, sfidat dhe rekomandimet për tre mujorin e punës, ndërkaq u tha se prioriteti i parë në ditët në vijim është reforma në arsim, përkatësisht në norma, ndërkaq riorganizimi i shërbimit civil u tha se është prioriteti i dytë”, thuhet në njoftim.
Sa i përket banimit social, u theksua fakti se shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i 20 shtëpive për familjet në nevojë, 11 shtëpi janë rinovuar sivjet, ndërkaq po u bëhet pagesa e qirasë për 50 familje nevojtare.
Kryetari Haziri ka njoftuar se në mbledhjen e radhës gjatë javës do të diskutohen të gjeturat dhe vlerësimet e programit të USAID TEAM, “Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse”.