Arbëri

Në Gjakovë, Policia shpërndau qytetarët e mbledhur në Shkugëz

Foto: REL / ilustrim

Masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për të parandaluar përhapjen e koronavirusit COVID-19, në mesin e të cilave masa ndalohen edhe tubimet në masë të qytetarëve, duket se nuk po respektohen mjaftueshëm.

Deri kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, kritikoi qytetarët e vetë që kishin dal për piknik në grykën e Rugovës, homologu i tij gjakovar, Ardian Gjini, tregoi se është dashur intervenimi i Policisë për të larguar qytetarët e mbledhur në Shkugëz.

“Për shkak të rrezikut të drejtpërdrejtë dhe shumë të lartë që secili prej nesh të infektohet me koronavirus, shteti ka vendosur që të mbyllen shkollat dhe shumë institucione tjera. Por nuk jemi në pushim vjetor e as në ndonjë festë! Sot jemi detyruar të intervenojmë me polici për shkak të numrit të madh të qytetarëve të koncentruar në Shkugëz. Kjo sjellje e disa njerëzve është skajshëm e papërgjegjshme kundrejt familjeve të tyre dhe qytetarëve tjerë. Kjo është injorancë e skajshme. Distancimi social është e vetmja mënyrë për ta shmangur një të keqe edhe më të madhe”, ka thënë Gjini në një postim në Facebook.

Ai potencon se shteti është i detyruar të veprojë kundër një numri njerëzish që në mënyrë kaq të papërgjegjshme e rrezikojnë vetveten dhe tjerët.