Seminari XIII mbarëkombëtar i mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë, këtë vit është mbajtur në Gjakovë nga datat 01-04 gusht, transmeton Koha.net.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se ky aktivitet është organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës.
“Pjesëmarrësit nga diaspora janë pritur nga përfaqësues komunalë të cilët kanë organizuar koncerte ne shkollën e muzikës dhe vizita të objekteve të trashëgimisë kulturore. Me këtë rast, për nder të bashkatdhetarëve është përgatitur një agjendë e mbushur me aktivitete kulturore artistike ku pjesëmarrësit kanë pasur mundësi që të ndjekin programe artistike në Parkun Kulturor “Ali Podrimja”, të argëtohen në lokalet e Çarshisë së Vjetër si dhe të vizitojnë Muzeun e Historisë, Muzeun Etnografik, Çarshinë e Vjetër, Xhaminë e Hadumit, Teqenë e Bektashinjve, Kompleksin Koshare, etj”, thuhet në komunikatë.
Në kuadër të takimeve të mësimdhënësve të diasporës dhe me rastin e 5 vjetorit të ndarjes nga jeta e poetit të madh Ali Podrimja, është mbajtur edhe promovimi i librit "Ali Podrimja in Memoriam", me botues Klubi Letrar "Gjon Nikollë Kazazi" dhe me autor, Dinos Koubatis.