Arbëri

Ne, antifashistët evropianë

Foto: Koha

Një përkushtim Sezai Surroit, mësuesit antifashist evropian në Ditën e tij sot

1.

Sot është 75-vjetori i fitores kundër fashizmit. Për shumë shtete, përfshirë edhe Kosovën, është Ditë e Evropës.

Fuqia më e madhe evropiane për këta 75 vjet kanë qenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Hyrja e SHBA-së në luftë, me resurse të jashtëzakonshme njerëzore e ekonomike, ndërroi kahun e Luftës së Dytë Botërore dhe në fund vulosi fundin e forcave fashiste. Pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA-ja krijoi ombrellën e sigurisë të quajtur NATO, për t’u dhënë mundësi shteteve evropiane me sisteme demokratike që ta rindërtojnë ardhmërinë e tyre të përbashkët. Dhe SHBA-ja dha Planin Marshall me të cilin nxitën bashkëpunimin komunitar të shteteve evropiane, duke nxitur kështu atë që sot e njohim si Bashkim Evropian.

Ky është 75-vjetori paradoksal për SHBA-në. Është hera e parë në mbi njëqind vjet që SHBA-ja nuk u prin vendeve të tjera në një krizë botërore. Për më tepër, është hera e parë që nuk di t’i prijë as vetes: me pesë për qind të popullatës botërore ka 33 për qind të të sëmurëve në nivel botëror.

Ndërsa në Evropë po dalim gradualisht prej mbylljes në fazën e parë të COVID-19, njëri prej mësimeve më të mëdha është diçka që po përgatitet vite me radhë e tash ka mbërritur të shpërfaqet në tërësi: se SHBA-ja nuk është fuqia prijëse - botërore a evropiane.