Sot bëhen 42 vjet nga vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës. Ata u vranë në një atentat që ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë.
Me këtë rast presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, kanë bërë homazhe te varret e vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla në Dubovik të Deçanit.
Osmani me këtë rast tha se kjo vrasje rizgjoi ndjenjën e atdhetarizmit te miliona shqiptarë në botë.
“17 janari është ditë e humbjeve të mëdha për popullin shqiptar, për Kosovën në veçanti. Në këtë datë 42- vite më parë janë vrarë në Gjermani Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, duke i dhënë kështu një goditje të madhe sakrificës së popullit tonë për liri por njëkohësisht duke e rizgjuar ndjenjën e atdhetarizmit dhe sakrificës së miliona shqiptarëve gjithandej, të cilët me vite më radhë kontribuuan për lirinë e Kosovës”, u shpreh Osmani, raporton EO.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, kishin synim lirinë e Kosovës, teksa i quajti pararendës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Edhe
Vlerësohet lart veprimtaria e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës
Ata kishin dy qëllime madhore të cilat kanë peshë dhe rëndësi për historinë e Kosovës: e para ata u përpoqën të gjitha organizatat ilegale të cilat kishin synim lirinë e Kosovës dhe e dyta ishte që kjo liri të vinte përmes çlirimit dhe këto qëllime kanë vazhduar përgjatë gjithë kohës dhe unë padyshim do t’i quaja si pararendësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sepse ata kanë peshë të rëndë për lirinë e Kosovës”, u shpreh Konjufca.
Osmani e Konjufca gjithashtu kanë bërë homazhe edhe te busti i Kadri Zekës në Prishtinë.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se mes atentateve politike në historinë moderne të Kosovës, rasti i vëllezërve Gërvalla e Kadi Zekës paraqet një dosje më vete.
“Përmes saj mund të lexohet vet historia e ekzilit politik të shqiptarëve, përndjekja e tyre nga strukturat e sigurisë të Serbisë dhe historia e bashkëpunëtorëve të tyre. Atentati ndaj Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës u krye 42 vite më parë, më 17 janar 1982. Ata u vranë ashtu siç ishte organizuar nga shërbimet e fshehta të Serbisë, që kishin bërë përvojë paraprakisht me atentate të ngjashme ndaj ekzilit politik kroat”, ka shkruar Kurti. “Atë të diele dimri dhe me borë në Gjermani, tre veprimtarët politikë shqiptarë të shënjestruar, Jusuf Gërvalla, vëllai i tij Bardhoshi dhe gazetari Kadri Zeka, sapo kishin dalë me makinë nga një garazhë në Untergrupenbach pranë Heilbronnit. Fare pak metra më tutje, dy persona anonimë kishin dalë nga një punishte ndërtimi dhe me revolet e tyre kishin shtënë 12 plumba në drejtim të makinës. Prej tyre, gjashtë plumba e kapën Bardhoshin që po e voziste makinën, kurse Jusufi dhe Kadriu u goditën me nga dy plumba”, ka shkruar tutje Kurti.
Ai ka thënë se ai ishte një atentat i kryer qartazi nga vrasës të trajnuar dhe i ideuar politikisht, siç ka shkruar, “sipas stilit famëkeq të shërbimeve sekrete të Serbisë, që veçanërisht pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, i kishte ashpërsuar shumëfish përndjekjet, arrestimet, burgosjet dhe torturat mbi aktivistët politikë shqiptarë që i gjurmonte edhe jashtë shtetit”.
“Rënia aq e bujshme e Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriut si dhe jehona aq e gjatë e këtij atentati, nuk u përcoll deri në fund nga drejtësia. Por historia e veprimtarisë së tyre politike, pasuar nga veprat letrare të Jusufit dhe këngët e tij me Bardhoshin, sikur edhe profili prej gazetari dhe aktivisti i Kadriut, vetëm sa kanë shkuar duke u bërë më të kristaltë. Nga koha kur janë vrarë më 17 janar 1982 dhe deri sot pas 42 vitesh kur po i kujtojmë, Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu janë kthyer në emra referencialë për të gjithë ata që janë angazhuar dhe kanë luftuar për lirinë e Kosovës. Lavdi Kadri Zekës dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallës, për veprat e tyre atdhetare dhe për jetën e dhënë në rrugën për lirinë e Kosovës!”, ka shkruar Kurti.
Edhe
Përkujtohen vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka
Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka janë kujtuar edhe nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi.
“Tre ranë, me mijëra u ngritën – pjesa tjetër është histori! Lavdi e mirënjohje e përjetshme për kolosët dhe veprimtarët e paepur të çështjes kombëtare që frymëzuan brezin e lirisë, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla, të cilët, 42 vite më parë, u ekzekutuan nga dora e shërbimit sekret jugosllav në Untergrupenbach të Gjermanisë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.