Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
86 të vrarë

Në 25-vjetorin e masakrës së Kralanit kërkohet drejtësi për mbylljen e plagëve

Masakra e Kralanit

Janë bërë 25 vjet që nga masakra e 86 civilëve në fshatin Kralan të Gjakovës. Në homazhet për të vrarët familjarët thanë se mungesa e ndëshkimit për kryerësit e këtij krimi lufte ua rëndon edhe më shumë dhimbjen. E kryeministri Albin Kurti theksoi se vetëm nëpërmjet drejtësisë do të mbyllen plagët që i shkaktoi gjenocidi serb

(Përditësuar - 19:20) - Drejtësi dhe adresim për krimet e luftës kanë kërkuar të martën familjarë të 86 të vrarëve nga forcat serbe në masakrën e 25 vjetëve më parë në Kralan të Gjakovës.

Tek i ka kujtuar të vrarët gjatë homazheve te varrezat e familjes Vejsa, Nesrete Nuka-Vejsa, ka theksuar se secilit familjar ia rëndon edhe më shumë dhembjen mosndëshkimi i kriminelëve serbë, përgjegjës për masakrën.

Ajo ka rrëfyer momentin kur në natën midis 1 e 2 prillit forcat serbe ekzekutuan foshnja, fëmijë, e të moshuar.

“Kanë filluar edhe me foshnjën 20-muajshe, bashkë me nënat aty dhe me gjyshet. Në fund ia kanë dhënë flakën dhomës, i kanë ekzekutuar të gjithë dhe i kanë kallë. Në flakë ka dalë Dreni, djali i djalit të hallës. Ai ka shpëtuar. I plagosur ka qenë në dorë, ka dalë nëpër tym e flakë edhe ka shkuar te gjyshja, në kojshi e kam pasur hallën edhe ju ka thanë mos i pritni se i kanë ekzekutuar të gjithë. Aty ka qenë krim mbi krimin, për me humb gjurmë edhe ia kanë vënë flakën i kanë kallë krejt viktimat. Neve na e rëndon dhimbjen më shumë fakti se hala asnjë kriminel nuk është zënë”, ka thënë Vejsa.

I pranishëm në homazhe, kryeministri Albin Kurti e ka kualifikuar urgjencë adresimin e krimeve të luftës në Kosovë, teksa ka theksuar se për krimet e kryera nga Serbia janë duke humbur dëshmitarët. Ai është shprehur se vetëm nëpërmjet drejtësisë do të mbyllen plagët që vazhdojnë të kullojnë si pasojë e gjenocidit.

Edhe 27 vjet nga masakra e Kralanit në Gjakovë Arbëri 27 vjet nga masakra e Kralanit në Gjakovë

“Për këtë rast është dënuar shefi i Sigurisë Publike të Serbisë, gjenerali Vllastimir Gjorgjeviq, njëherë me 27 vjet burg, e më pastaj ia kanë zbritur në Tribunal të Hagës në 18 vjet burg, mirëpo ai ka qenë një urdhërdhënës, i cili ka qenë dora e djathtë e Millosheviqit në këtë operacionin “Patkoi”. Mirëpo, ekzekutorët e tjerë janë me dhjetëra, janë me qindra edhe ata do të duhej të përgjigjeshin para drejtësisë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka vendosur lule te lapidari në fshatin Kralan, në të cilin janë shkruar emrat e 88 civilëve të vrarë.

Në masakrën e 2, 3 e 4 prillit të 1999-s, forcat serbe vranë 86 civilë shqiptarë, teksa rrugës drejt deportimit për në Shqipëri i ekzekutuan edhe dy të tjerë.

11 prej këtyre viktimave janë fëmijë. E mbetjet mortore të 18 prej të vrarëve janë gjetur në afërsi të liqenit Peruçac, në Bajina Bashta të Serbisë.


Janë bërë 25 vjet nga vrasja e 86 personave në masakrën e Kralanit në Gjakovë.

Ishte 2 prilli i vitit 1999 kur në Kralan të Gjakovës forcat ushtarake dhe policore serbe ndanë disa qindra djem dhe burra nga grupi prej 1500 shqiptarëve që kishin braktisur vatrat për t’u shpëtuar krimeve serbe që kishin përfshirë tërë Kosovën. Të tjerët - gra, fëmijë dhe pleq, ishin urdhëruar që të shkojnë në Shqipëri.

Dy ditë më vonë, më 4 prill, nga grupi i djemve dhe burrave të cilët janë mbajtur në livadh, gjatë gjithë kohës, të rrethuar me tanke, pa ujë dhe pa ushqim, një numër i madh i tyre është liruar. Janë mbajtur 86 prej tyre, ndër të cilët edhe 11 të mitur.

Që nga ajo ditë, që nga ai moment, askush nga ta më nuk është parë i gjallë.

Edhe 27-vjetori i Masakrës së Dubravës, Kurti: Krim kundër njerëzimit ndaj shqiptarëve Arbëri 27-vjetori i Masakrës së Dubravës, Kurti: Krim kundër njerëzimit ndaj shqiptarëve

Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në vitin 2013 kishte bërë kallëzim penal ndaj disa eprorëve të Ushtrisë jugosllave për krime lufte në Kralan. Me këtë rast, u njoftua se trupat e 18 djemve dhe burrave të ndaluar, janë gjetur në një varrezë masive pranë liqenit të Peruçës, në Bajina Bashta të Serbisë.
FDH, në bazë të deklaratave të dhjetëra dëshmitarëve, ka identifikuar gjashtë eprorë të ushtrisë dhe policisë serbe, të cilët kanë qenë në pozitat më të larta të njësive që dyshohen se kanë kryer krimet.
Lidhur me krimet serbe në Kralan, në dhjetor 2014 një letër kryeprokurorit të Tribunalit të Hagës i ka dërguar kryetarja e Shoqatës “Familja dhe Shpresa” Arifete Bytyqi. Në emër të familjarëve të 86 viktimave të masakrës, Bytyqi kërkoi që të hetohet vrasja e 86 civilëve shqiptarë nga policia serbe më 4 prill 1999 në Kralan.

Në 25-vjetorin e kësaj masakre, kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe. Ai ka vendosur lule tek pllaka përkujtimore.