Në 21-vjetorin e Betejës së Likoshanit dhe Çirezit, familjarë, banorë të shumtë të kësaj ane e kryetarë komunash kanë bërë homazhe tek kompleksi i varrezave “Dëshmorët e Çiçavicës 1998-1999”.
Në këtë datë, e cila shënon edhe fillimin e luftës në Kosovë, u zbulua edhe pllaka përkujtimore për katër vëllezërit Sejdiu të rënë në betejën e Likoshanit dhe Çirezit.
Babi i këtyre katër dëshmorëve, Sheremet Sejdiu sot i kishte hapur dyert e shtëpisë së tij, dhe po priste mysafirë dhe shumë dashamirë që po vinin dhe po e nderonin me rastin e zbulimin e pllakës ku ishin gdhendur emrat dhe fotografitë e djemve të tij.
I lumtur që më në fund pas 21 viteve arriti që të ngrihet një lapidar për djemtë e tij, Sejdiu për KosovaPress rrëfeu momentin kur e kishte kuptuar që forcat serbe ia kishin vrarë katër djemtë.
“Kam dëgjuar që janë vrarë djemtë e Seferit, për djemtë e mi nuk kam ditur asgjë derisa kam ardhur tek shtëpia. Kishin qenë dy persona para meje dhe pas shtëpisë kishin qenë dy të vrarë edhe dy kanë qenë në lug. Me katër djem të vrarë nuk është lehtë, por tash më është dashur të isha edhe më i fortë, t'i ruaja të tjerët anëtarë se kanë përjetuar shumë. Gruaja dhe reja i kanë parë me sytë e vetë”, u shpreh Sejdiu.
Edhe
Të mbijetuarit e Qirezit dhe Likoshanit rikthejnë tmerrin e krenarinë
Për Sejdiun, ngritja e këtij lapidari, i cili është bërë me mjete vetanake, ishte një ëndërr dhe sot teksa e sheh të bërë realitet, ndihet shumë mirë.
Njëri nga djemtë e tij të vrarë, Beqiri, pas vetes kishte lënë gruan dhe dy fëmijë, e për këtë Sejdiu ndihet i indinjuar shtetin pasi thotë se askush nuk i ka ndihmuar.
“Lapidari u rregullua me mjetet e mia. Vëllai Osmani dhe djali Sheqiri më kanë ndihmuar. U thosha nipit e resë, ‘me mujt edhe qata me e rregullua, edhe me vdek se kam gajle më’”, tha ky baba i katër dëshmorëve.
Drejtori i Kulturës në Komunën e Skenderajt, Ramiz Shala tha se forcat serbe në pafuqi të përballen me ushtarët e komandantit Adem Jashari, vranë 24 civilë shqiptarë në këtë betejë.
“Për të shënuar sot betejën e Likoshanit dhe Çirezit, beteja e njohur tashmë tek ‘Gjashtë lisat’, vend ky në mes dy fshatrave Çirez dhe Likoshan, vend ky ku forcat paramilitare serbe në pafuqi për t’u përballur me rezistencën e ushtarëve të komandantit Adem Jashari, kanë marrë hak në trupat civilë ku atë ditë, përveç luftëtarëve Rexhepi dhe të tjerëve, kanë rënë gjithsej 24 dëshmorë të cilët i kujtuam me pietet”, u shpreh ai.
Homazhe tek varrezat e dëshmorëve të Likoshanit dhe Çirezit kanë bërë edhe ish-komandantët e UÇK-së, Sylejman Selimi dhe Sami Lushtaku.
Lushtaku me këtë rast tha se sot po nderojnë heronjtë e vendit, për të cilët pavarësisht sa është bërë, ende ka mundësi të bëhet më shumë.
Edhe
28 vjet pas vrasjes së katër djemve, Instituti i Krimeve merr dëshminë e Sheremet Sejdiut
“Kam ardhur të bëj nderime për heronjtë e Kosovës dhe për martirët dhe të gjithë ata që kanë rënë në altarin e lirisë, për neve është nder, respekt që vijmë dhe përkulemi para këtyre burrave dhe grave dhe vajzave të këtij vendi. Pavarësisht sa bëhet dhe sa është bërë unë mendoj se gjithmonë ka vend për tu bërë më shumë”, ka thënë Llushtaku.
Aktivitetet për shënimin e 21 vjetorit të Betejës se Likoshanit dhe Çirezit u organizuan nga Komuna e Drenasit në bashkëpunim me atë të Skenderajt.