Arbëri

Ndryshimi i një ligji rrezikon që t’i lërë spitalet pa alkool mjekësor

Nga 1 në 5 euro për litër rrezikon të shtrenjtohet çmimi i alkoolit mjekësor që përdoret në spitale publike. Kompania që e ka fituar tenderin në SHSKUK thotë që ka ndryshuar një ligj i Ministrisë së Ambientit, që e bën alkoolin produkt biocid e jo mjekësor. E me këtë ndryshim, sipas tij, alkoolit i shtohen taksat doganore, gjë që ndikon edhe në shumëfishimin e çmimit. Ministria e Ambientit nuk është përgjigjur e SHSKUK-ja ka dhënë përgjigje të paqartë.

Spitalet publike muajve në vijim mund të mbesin pa një produkt elementar siç është alkooli.

SHSKUK-ja ka një kontratë për furnizim me alkool etilik.

Çmimi për një litër, siç ka mësuar KOHA, është rreth 1 euro.

Megjithëse ka kontratë aktive, kompania fituese e tenderit thotë që nuk mund ta ofertojë alkoolin më me këtë çmim për shkak që është ndryshuar një ligj që hyn në fushëveprimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit.

Ligji për biocide, i amendamentuar vitin e kaluar, alkoolin etilik nuk e konsideron më produkt mjekësor por biocid.

Një gjë e tillë, sipas kompanisë fituese, më nuk lirohet nga taksat doganore, andaj për shkak të rritjes së shpenzimeve çmimi do të ndryshojë.

Burime të KOHËS në SHSKUK kanë thënë që kjo kompani tash po synon që këtë produkt të shesë për SHSKUK-në me çmim rreth 5 euro.

Shërbimi spitalor nuk është përgjigjur për problemin konkret.

Megjithatë, në një shkresë të kompanisë që furnizon SHSKUK-në me alkool drejtuar këtij institucioni që e ka KOHA, thuhet se çmimi i kontratës më nuk mund të respektohet.

“Alkooli etilik i çnatyruar 70% pa licencën e AKPPM-se nuk e gëzon të drejtën e kategorizimit si pajisje dhe produkt medicinal duke ju nënshtruar taksave vetëm 8% TVSH. Ndërsa në kategorizimet e tjera si BIOCID i nënshtrohet taksës doganore 10% doganë + 18% TVSH-ja + Akciza (3.50 euro për litër 70% alkool), kjo është absurde, sepse kostoja e produktit rritet ekstremisht në krahasim me importet paraprake”, thuhet në emailin e kompanisë.

Më tej SHSKUK-ja është “paralajmëruar” se mund të përballet me mungesë të këtij produkti në rast se nuk pranon ta kontraktojë me çmim më të lartë së në kontratë.

“Kërkojmë nga ana juaj që të kërkoni nga Ministria e Shëndetësisë që urgjentisht të bëjë zgjidhje për këtë problem, në të kundërtën nuk kemi mundësi ta realizojmë këtë kontratë me kushtet ekzistuese. Meqenëse ky produkt është për përdorim emergjent, deshëm që të jeni të njoftuar me kohë dhe të mos mbesin spitalet pa furnizim”, thuhet tutje në email.

SHSKUK-ja është pyetur për çështjen e alkoolit.

Nuk janë përgjigjur konkretisht në asnjërën çështje.

Kur janë pyetur për çmimin, kanë deklaruar që “ai është sipas kontratës”, pa e treguar sa është në kontratë.

Në njërën nga përgjigjet kanë thënë që kanë furnizim të mjaftueshëm e në disa fjali me poshtë që janë në pritje të furnizimit të radhës.

E përgjigje për këtë çështje, edhe pse prodhon shumë pasoja në sistemin publik shëndetësor, nuk ka kthyer fare Ministria e Infrastrukturës.

Ligjërisht çmimi për një produkt pas nënshkrimit të kontratës nuk mund të ndryshohet.