Arbëri

Ndryshimet klimatike që i rrezikojnë edhe burimet e ushqimit, pasoja në Kosovë

“Burimet ushqimore, krahas luftës në Ukrainë, po rrezikohen edhe nga ndryshimet klimatike” - ka qenë njëri prej konstatimeve në konferencën arabo-evropiane, që nisi punimet në Prishtinë. Në konferencën që e trajton ndikimin e ndryshimeve klimatike po merr pjesë edhe Unioni Arab për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Mjedis

Krizë të kësaj epoke i ka cilësuar ndryshimet klimatike drejtori i Akademisë Diplomatike të Kosovës, Beqir Ismaili, të shtunën në hapje të Konferencës Ndërkombëtare Arabo-Evropiane në Kosovë – “Ndikimi i ndryshimeve Klimatike në degradimin e tokës”.

Rreziku që i kanoset sigurisë mbarëbotërore të ushqimit dhe burimeve të ujit është gjetur te shkaku i ndryshimeve klimatike. Pjesëmarrës në konferencën që trajton ndikimin e këtyre ndryshimeve në degradimin janë kanë qenë edhe përfaqësues të Unionit Arab për Zhvillim të Qëndrueshëm.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka deklaruar se ngrohjes së globit po i ndihen pasojat edhe në Kosovë.

“Kosova sot ndikohet nga ndryshimet klimatike, ne edhe ndikohemi, por edhe ndikojmë. Edhe ne bëjmë pjesë në ndotjen e përgjithshme dhe prandaj jemi të vendosur që me politikat tona t’i reduktojmë dhe t’i zvogëlojmë këto emisione. Por, në anën tjetër, ndikohemi nga ndryshimet kudo në vendin tonë. Besoj që në këtë konferencë, në prezantimet që do të bëhen do ta vëreni se në Kosovë, tashmë ka elemente të ndikimit nga ndryshimet klimatike, rrjedhimisht në sasinë e ujit. Kemi më pak të reshura”, ka thënë Aliu.

Ashraf Abdel Aziz, sekretar i përgjithshëm i Unionit Arab për Zhvillim të Qëndrueshëm e Mjedis, ka thënë se burimet ushqimore po rrezikohen. Krahas luftës në Ukrainë, ushqimi kërcënohet edhe nga ngrohja që po shkakton thatësi në toka bujqësore.

“Shumë organizata të shoqërisë civile kanë tërhequr vërejtjen për rrezikun e degradimit të tokës, për shkak të ndryshimeve klimatike që e kanë mbërthyer botën dhe të cilat po shkaktojnë shkretimin e tharjen e tokave, gjë që rrezikon elementet ushqyese të tokës dhe rrjedhimisht degradimin e saj. Shumë shkencëtarë mendojnë që nga pasojat e këtyre ndryshimeve klimatike do të shkaktohen shumë vuajtje, do të shkaktohen edhe ndryshime të mëdha atmosferike siç është thatësia, vërshimet e ujit, ngritjet e temperaturave që është e pamundur të parashikohen. Gjithashtu, ato do të bëjnë prodhimin bujqësor të vështirë, në mos edhe të pamundur”, ka thënë Abdel Aziz.

E zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, e ka çmuar lart mbështetjen që shtetet arabe i kanë dhënë Kosovës, qysh para shpalljes së pavarësisë së saj.

“Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme me vendet arabe, që nga shpallja e pavarësisë... Vendet arabe kanë qenë në anën tonë gjatë luftës, para shpalljes së pavarësisë dhe pas shpalljes së pavarësisë”, është shprehur Ahmeti.

Diskutime ka pasur gjatë tërë së shtunës, me akademikë e ekspertë të tjerë të mjedisit e të meteorologjisë. Konferenca, që është bashkorganizim i Akademisë Diplomatike të MPJD-së, MMPHI-së e Unionit Arab për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Mjedis, vazhdon edhe të dielën.