Arbëri

Aliu: Ndryshimet klimatike, ndër problemet dhe sfidat më të mëdha të Kosovës

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se për Kosovën ndryshimet klimatike mbesin problem dhe sfidë e madhe. Ka paralajmëruar se mund të ketë mungesë të ujit në raste të caktuara.

Aliu ka thënë se Kosova nuk njihet nga Kombet e Bashkuara dhe nuk merr fonde për t’u përballur me ndryshimet klimatike.

“Besoj që tashmë kemi shenja të qarta se ndryshimet klimatike ndikojnë në Kosovë. Faktin që ne kemi pak ujë, tregon që nuk do ta kemi lehtë që të përballemi me thatësira që do të ndikohemi nga ndryshimet klimatike. Do të kemi vërshime që nuk e dimë se si do t’i menaxhojmë. Pra në momente të caktuara do të kemi tepër ujë, dhe atëherë kur do të na duhet nuk do të kemi ujë. Prandaj adaptimi në ndryshimet klimatike është një ndër prej problemeve dhe sfidat kryesore që përballet vendi ynë. Jemi shumë të kufizuar sepse nuk njihemi nga Kombet e Bashkuara dhe nuk kemi qasje në fondet për ndryshime klimatike. Vendet e tjera kanë qasje në këto fonde dhe ne duhet të përballemi me mjete tona. Po përpiqemi që të bëjmë studime të fizibilitetit. Jemi duke shkuar mbarë”, ka thënë ai në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Ujërave, raporton EO. 

Alex Albertine, ushtrues detyre i zëvendësdrejtorit të USAID-it në Kosovë, ka thënë se puna e Institutit Meteorologjik të Kosovës është shumë i rëndësishëm për parashikimet që jep, pasi sipas tij, mund të merren masa që të shpëtohen jetë njerëzish dhe mjedisi.

“Ndryshimi klimatik është një çështje urgjente e planetit tonë, kësisoj na nevojiten veprime të menjëhershme. Ende nuk jemi të përgatitur, këto ndikojnë tekë komunitete dhe duhet të përgatitemi që komunitet të përballen më këtë. Të dhënat na fuqizojnë që të bëjmë vendime duke ruajtur jetën dhe mjedisin”, ka thënë Albertine.

Afrim Berisha, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Mbrojtjen e Mjedisit, ka thënë se i kanë dhënë prioritet forcimit të monitorimit dhe procesit të mbledhjes së të dhënave nga këto fusha.

“AMMK në kuadër të angazhimeve të saja e bën monitorimin e mjedisit dhe mbledhjen e të dhënave dhe informacionin për vlerësimin e gjendjes së mjedisit për të mbështetur procesin e hartimit të politikave dhe marrjen e masave përkatëse. Pa dyshim se monitorimi dhe të dhënat e sektorit të ujërave, sektorit meteorologjisë dhe klimës, luajnë një rol shumë të rëndësishëm dhe pjesën me të rëndësishme të dhënave mjedisore. Duke ditur këtë fakt, AMMK i ka dhënë prioritet forcimit të monitorimit dhe procesit të mbledhjes së të dhënave nga këto fusha duke ngritur sisteme përkatëse dhe duke forcuar kapacitete profesionale”, ka deklaruar Berisha.