OpEd

Fëmijët kontribuojnë më së paku në ndryshimet klimatike, por janë ata që preken më së shumti nga ndikimet e tyre

Kriza e trefishtë planetare e ndryshimeve klimatike, ndotjes së mjedisit dhe humbjes së biodiversitetit ka vënë rreth 1 miliard fëmijë – gati gjysmën e 2.2 miliardë fëmijëve në botë – në rrezik ekstrem për të mbijetuar dhe për t'u zhvilluar.

Në janar të vitit 2023, qyteti i Skenderajt në Kosovë është përfshirë nga vërshimet, duke i detyruar shkollat të mbyllen dhe familjet t'i braktisin shtëpitë e tyre. Familja Imeri ishte njëra nga familjet e prekura. Shtëpia e tyre u shemb brenda pak minutash dhe të 13 anëtarët u zhvendosën në shtëpinë e të afërmve të tyre, duke humbur gjithçka që kishin. Shtëpia e tyre ishte një nga 300 shtëpitë që u dëmtuan dhe anëtarët e familjes Imeri ishin disa 10,000 personat që çdo vit preken nga vërshimet në Kosovë.

Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF) kreu Analizën mbi gjendjen klimatike për fëmijët (CLAC) në Kosovë duke zbuluar një të vërtetë alarmante: për qytetarët më të rinj të Kosovës, ritmi i përshpejtuar i degradimit të mjedisit, ndotja e ajrit, e përkeqësuar nga ndryshimet klimatike, po kërcënon të drejtat e tyre themelore për shëndet, edukim dhe siguri.

Fëmijët e Kosovës po rriten në një nga rajonet më të cenueshme nga klima në Evropë. Temperaturat mesatare vjetore në Kosovë janë rritur për 2-3°C që nga vitet e 1950-a, ku parashikimet tregojnë rritje prej 4-8°C deri në fund të shekullit, duke sjellë valë më të shpeshta të të nxehtit, reshje të paparashikueshme dhe mungesë të madhe të ujit. Fëmijët, veçanërisht ata në rajonet si Ferizaj dhe Prizren, përballen me ekspozim të shtuar ndaj këtyre ekstremeve klimatike, të përkeqësuara nga ndotja e ajrit dhe ujit.

2023 ishte viti i dytë më i ngrohtë në historinë e Evropës. Rreth 1 në 2 fëmijë në Evropë dhe Azinë Qendrore përballen me valë të shpeshta të nxehtit – dyfishi i mesatares globale prej 1 në 4. Fëmijët e Kosovës përballen me një luftë të përditshme kundër cilësisë së dobët të ajrit, mungesës së ujit dhe temperaturave në rritje, të cilat të gjitha minojnë të drejtën e tyre për një mjedis të shëndetshëm dhe të sigurt. Përafërsisht 23% (1) e fëmijëve në Kosovë jetojnë nën kufirin kombëtar të varfërisë, që do të thotë se ata janë më të ekspozuar ndaj ndikimeve të motit ekstrem, nga valët e të nxehtit deri te vërshimet. Komunitetet më të varfra kanë më pak qasje në energjinë e pastër dhe fëmijët e tyre janë më të ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit.

Cilësia e ajrit në Kosovë është ndër më të këqijat në Evropë, ku nivelet ditore të PM2.5, që është ndotësi më i rrezikshëm i ajrit, arrijnë deri në 367 μg/m³ –25 herë më shumë se kufiri i sigurt ditor i OBSH-së për fëmijët.  Përafërsisht 17% e vdekjeve totale të foshnjave në pesë vendet e Ballkanit Perëndimor në vitin 2021 ishin të lidhura me ndotjen e ajrit, një normë që është më shumë se dyfishi i mesatares së Bashkimit Evropian. (2)

Trupi në rritje e sipër dhe mendja në zhvillim e fëmijëve janë veçanërisht të cenueshme nga nxehtësia ekstreme, ndotja dhe pasiguria ushqimore. Në Kosovë, më të cenuarit – fëmijët nga komunitetet e margjinalizuara, ata me aftësi të kufizuara dhe ata që jetojnë në vendbanime joformale – po përballen tashmë me këto efekte të ashpra të ndryshimeve klimatike. Spitalet raportojnë rritje të pranimeve për sëmundje të lidhura me nxehtësinë dhe komunitetet po hasin në vështirësi me mungesën e ujit që pengon prodhimin bujqësor, i cili është mjet jetese kyç për shumë familje.

Një thirrje për veprim urgjent

Raporti i CLAC përshkruan hapat konkretë për mbrojtjen e fëmijëve të Kosovës nga rreziqet klimatike dhe mjedisore. Ky raport, i zhvilluar në konsultim të ngushtë me institucionet e Kosovës, partnerët lokalë dhe, më e rëndësishmja, vetë fëmijët, është i qartë në gjetjet e tij: nevojiten veprime urgjente dhe vendimtare për fëmijët për ta siguruar të ardhmen e tyre. Disa nga rekomandimet e raportit të CLAC janë:

•Prioritizimi i politikave klimatike të fokusuara te fëmijët: planet komunale për cilësinë e ajrit dhe klimën duhet t'i trajtojnë cenueshmëritë dhe të drejtat unike të fëmijëve, duke siguruar përfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse;

•Promovimi i edukimit për klimën dhe shkollave të qëndrueshme: Mbështetja e Ministrisë së Arsimit për t'i integruar ndryshimet klimatike dhe edukimin mjedisor në kurrikulë, duke theksuar eko-projektet praktike që nxisin ndërgjegjësimin mjedisor, pajisin fëmijët dhe të rinjtë me njohuri dhe aftësi të gjelbra dhe fuqizojnë të rinjtë për të ndërmarrë veprime për një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme; mbështetja për përmirësimet e infrastrukturës që rrisin rezistencën e shkollës ndaj rreziqeve të shkaktuara nga klima, ofrojnë udhëzime për dizajne me efikasitet energjetik dhe certifikime të gjelbra, duke i bërë shkollat modele të qëndrueshmërisë dhe rezistencës për komunitetet lokale;

•Investimi në energji të pastër për komunitetet e cenueshme: qasja në burime të qëndrueshme të energjisë është thelbësore për reduktimin e varësisë nga karburantet ndotëse, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe ruajtjen e shëndetit të fëmijëve; rritja e subvencioneve ose stimujve për instalimet e energjisë së ripërtëritshme në shkolla, klinika shëndetësore dhe shtëpi, dhe nxitja e partneriteteve me nivelet komunale dhe ofruesit e energjisë së pastër;

•Mbështetja në krijimin e sistemeve të të dhënave për të gjurmuar ndikimin joproporcional të ndryshimeve klimatike te fëmijët, duke përfshirë rezultatet shëndetësore dhe nivelet e ekspozimit dhe në zgjidhjet më të mira për mbrojtjen e tyre, si dhe duke rritur qëndrueshmërinë e fëmijëve dhe komunitetit duke mbështetur sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe iniciativat për ngritjen e kapaciteteve.

•Investimi në prioritizimin e shëndetit mjedisor për ta reduktuar dhe parandaluar ekspozimin e fëmijëve ndaj ndotësve, duke përfshirë planet për rregullimin e cilësisë së ajrit, iniciativat për reduktimin e plumbit, fushatat e shëndetit publik. Ngritja e kapaciteteve të pediatërve dhe profesionistëve të kujdesit shëndetësor; Monitorimi i ndotësve dhe cilësisë së ajrit në shkolla dhe kopshte dhe praktikat më të mira për përmirësimin e cilësisë së ajrit të brendshëm, duke siguruar që fëmijët të kenë mjedise më të sigurta për t'u zhvilluar dhe për të mësuar.

Një hap premtues është partneriteti i UNICEF-it dhe Agjencisë Suedeze për Mbrojtjen e Mjedisit (SwEPA) i mbështetur nga Suedia, i cili synon t'i ndërtojë kapacitetet qeveritare në menaxhimin e cilësisë së ajrit dhe të dhënave në të gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë dhe Kosovën. Ky partneritet thekson gjithashtu dhe integrimin e aftësive të gjelbra në arsim, duke siguruar që të rinjtë jo vetëm të informohen, por dhe të fuqizohen me njohuritë dhe aftësitë praktike të nevojshme për t'i adresuar sfidat klimatike. Duke përmirësuar edukimin mbi ndryshimet klimatike, cilësinë e ajrit dhe praktikat e qëndrueshme, kjo nismë forcon angazhimin e të rinjve, duke përgatitur brezin e ardhshëm për ta nxitur transformimin e gjelbër në komunitetet e tyre.

Një nga gjetjet kryesore nga ky partneritet është se planet komunale për cilësinë e ajrit në Ballkanin Perëndimor nuk marrin parasysh fëmijët dhe të rinjtë. Si rezultat i drejtpërdrejtë i këtij partneriteti, u krijua rrjeti i parë i ambientalistëve të rinj dhe tani shërben si një grup përfaqësues i të rinjve që marrin masa dhe avokojnë për politika të cilësisë së ajrit dhe klimës që janë të ndjeshme ndaj fëmijëve, ndërsa zgjerojnë partneritetet me palët kryesore të interesit në avancimin e përfshirjes së të rinjve në agjendën e gjelbër të Kosovës.

Koha për të vepruar është tani

Koha për veprim është tani. Institucionet, shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë duhet të punojnë së bashku për të siguruar të ardhme të qëndrueshme për fëmijët në Kosovë. Mbrojtja e fëmijëve nga kriza klimatike nuk është vetëm një çështje mjedisore - është çështje e mbrojtjes së të drejtave të tyre themelore.

Fëmijët dhe të rinjtë nuk janë vetëm viktima të ndryshimeve klimatike, por nëse fuqizohen dhe arsimohen, ata mund të luajnë rol aktiv në zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Kosova ka bërë hapa drejt njohjes së këtyre sfidave, por duhet bërë më shumë.

Në këtë moment kritik, është përgjegjësia jonë kolektive për t'i mbrojtur të drejtat e fëmijëve të Kosovës. Kriza klimatike është një sfidë e paprecedentë, por me përpjekje të koordinuara, ne mund ta ndryshojmë rrjedhën e ngjarjeve. Nga kjo varet e ardhmja e Kosovës, përfshirë edhe ajo e familjes Imeri.

(Një Op-Ed i përbashkët nga shefja e UNICEF-it në Kosovë, znj. Veronika Vashchenko dhe ambasadori suedez në Kosovë, z. Jonas Westerlund)

 (1) Anketa e Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë (Të dhënat e MICS 2020)

(2) Instituti për Metrikë dhe Vlerësim Shëndetësor (IHME). (2021). Studimi i Barrës Globale të Sëmundjeve 2021 (GBD 2021) Vlerësimet e ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit 1990-2021. Universiteti i Uashingtonit.