Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ndotje e madhe e ajrit në Prishtinë

Pamjet nga Pekini, me njerëz që ecin me maska në fytyrë për t’u mbrojtur sadopak nga ajri i ndotur, janë të njohura nga shumëkush. Por, së fundmi, edhe Kosova renditet ndër vendet më të ndotura të botës, e mjekët japin alarmin për rrezikun.

Sipas tyre, si pasojë e ajrit të ndotur, qytetarët rrezikohen të preken nga kanceri apo sëmundje të tjera. Që prej një jave, në fakt, banorët e Kosovës përballen me një ndotje të shtuar ajri, që sipas ekspertëve është 300 herë më e lartë sesa mesatarja e ndotjes së lejuar, transmeton tch.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kjo, bazuar në të dhënat e Ambasadës amerikane, ku thuhet se, vlerat e grimcave “PM 2.5” janë disa herë jashtë normales. Janë disa, qytetet në Kosovë të mbuluara nga mjegulla. Ndotja vjen nga faktorë të ndryshëm, si termocentralet, djegia e qymyrit dhe automjetet.

Përveç mjekëve, për cilësinë e ajrit në Kosovë ka lëshuar alarmin edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë. Ky institut thotë se, në sezonin e dimrit, qyteti i Prishtinës është i zhytur në smog.

“Efektet afatshkurta të ndotjes së ajrit, sipas të dhënave na çojnë drejt rritjes së numrit të të sëmurëve me astmë bronkiale, bronkitet kronike, sëmundje të mushkërive te moshat e thyera, rritjen e numrit të shtrimeve në spital nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjen e shkallës së vdekshmërisë”, thuhet në reagimin e IKSHP-së.

Përveç Kosovës, ndotja është alarmante edhe në Maqedoninë fqinje. Pak ditë më parë, niveli i ndotjes së ajrit i regjistruar mbi kryeqytetin Shkup ishte tri herë më i lartë nga ai i lejuar.