Problemi i hedhjes së mbeturinave në afërsi të Tregut të gjelbër dhe në shtratin e Lumëbardhit nga tregtaret e papërgjegjshëm, sidomos gjatë ditës së shtunë kur është ditë tregu në Pejë ende nuk është eliminuar. Por sipas administratës komunale, kjo dukuri së shpejti, do të marrë fund me vendosje kamerash në pika të ndryshme qyteti.
Një tregtar i kontaktuar nga KD-ja, në kushte anonimiteti, tregon se mbeturinat në lumë kryesisht po hedhen nga shitësit e fruta-perimeve, të cilët sipas tij përtej murit të tregut i hedhin në lumë me paketa frutat dhe perimet e prishura, pavarësisht se në treg gjenden kontejnerët, shkruan sot “Koha Ditore”.
Megjithëse i kanë dyshimet për hedhësit e mundshëm të mbeturinave në lumë, deri tashti inspektorët komunalë janë treguar të pafuqishëm që ta luftojnë këtë fenomen që po përsëritet në vazhdimësi.
Madje as të gjobitur nuk ka, me arsyetimin se po kanë vështirësi për t’i identifikuar personat se kush po i hedh ato mbeturina, të cilat po largohen kohë pas kohe me aksione të pastrimit të lumit nga operatorët që angazhohen nga Komuna.
Një arsye tjetër, siç thonë në Inspektorat është edhe numri i pamjaftueshëm i inspektorëve të mjedisit që të angazhohen në të gjitha pikat në qytet, përballë punës të madhe në terren. Aktualisht, siç thotë drejtori i Inspektoratit komunal, Leotrim Murtezaj, janë vetëm tre inspektorë të mjedisit./Ilir Osmanaj
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)