Në Parlamentin Studentor të UP-së është kualifikuar si shqetësues vijimi i studimeve në një institucion, në të cilin plagjiatorët nuk marrin dënime të ashpra. Qlirim Hoti, kryetar i Parlamentit Studentor, ka theksuar se dënimet e buta nuk e dekurajojnë askënd që të mos bëjë shkelje akademike
Jomeritore janë kualifikuar nga studentët dënimet e shqiptuara nga Këshilli i Etikës në universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” për profesorët, në punimet shkencore të të cilëve është konstatuar se ka pasur plagjiaturë.
Vlerësimi është adresuar pasi që Këshilli i Etikës gjatë qershorit ka dënuar për plagjiaturë dy profesorë të Fakultetit Filozofik. Në kuadër të masës, Bujar Dugolli, profesor i Historisë moderne shqiptare, Historisë së sistemeve politike dhe asaj orale në Fakultetin Filozofik, është dënuar me mosmentorim të temave të diplomës në nivel master dhe në doktoratë për dy vjet, përderisa Ardian Kastratit, profesor në Departamentin e Shkencave Politike, i është ndaluar mentorimi në të gjitha nivelet e studimit për tre vjet. Ndërkaq, në muajin gusht, për cenim të të drejtave autoriale, dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit, Musa Selimi, profesorët Bylbyl Sokoli, Hazir Salihu dhe Afrim Koca janë dënuar nga Këshilli me mosmentorim të diplomave në të gjitha nivelet për nga dy vjet, teksa profesori Ajvaz Berisha është ndëshkuar për tre vjet.
Në Parlamentin Studentor të UP-së është kualifikuar si shqetësues vijimi i studimeve në një institucion, në të cilin plagjiatorët nuk marrin dënime të ashpra.
Qlirim Hoti, kryetar i Parlamentit Studentor, ka theksuar se dënimet e buta nuk e dekurajojnë askënd që të mos bëjë shkelje akademike.
“Plagjiatura është vjedhje dhe publikim i ideve, shprehjeve ose mendimeve të një autori tjetër dhe përfaqësimi i tyre si vepër origjinale mendojmë se paraqet një shkelje të rëndë, sidomos nga stafi akademik. Prandaj një akt i tillë duhet dënuar ashpër, pasi që, si shembull që përcillet tek studentët, gjeneratat e ardhshme, është i gabuar”, ka thënë Hoti.
Në arsyetimin e vendimeve të Këshillit është bërë e ditur se për dënimet ndaj profesorëve është marrë parasysh si rrethanë lehtësuese distancimi nga punimet shkencore, te të cilat është evidentuar plagjiatura, si dhe bashkëpunimi i profesorëve me Këshillin.
Adea Kondirolli, hulumtuese në Organizatën për Rritjen e Cilësisë, ORCA, ka thënë se dënimet nuk janë penalizim, por lirim i profesorëve nga disa prej obligimeve të tyre.
Në organizatë, e cila i kishte denoncuar profesorët në Këshill, kanë thënë se dënimi i vetëm meritor për veprimet është përjashtimi nga UP-ja.
“Kemi diskutuar gjatë pse Këshilli e ka marrë një kësi lloj vendimi dhe i kemi pyetur edhe ata vetë, dhe ata kanë konsideruar që mentorimi i diplomave është një akt hyjnor dhe një privilegj për profesorët, dhe për këtë arsye ata kanë vendosur me heq atë privilegj”, ka treguar ajo. “Në pikëpamjet tonë, mentorimi i diplomave, sidomos në universitete publike në Kosovë, është për sy e faqe dhe nuk është privilegj, vetëm punë shtesë”, ka shtuar Kondirolli.
Lidhur me këtë pati reaguar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavaci, e cila ka kërkuar nga organet përgjegjëse të Universitetit që masat e shqiptuara nga Këshilli i Etikës të rishikohen.
Ajo ka bërë të ditur se në Projektligjin e ri për arsimin e lartë janë paraparë masa të veçanta për parandalimin e të gjitha formave të cenimit të integritetit akademik, nëpërmjet formimit të Komitetit Etik në nivelin qendror.
“Si ministre e Arsimit do t’i drejtohem Këshillit Drejtues të UP-së me kërkesë që të gjitha organet e Universitetit t’i trajtojnë me seriozitet këto dhe rastet e ngjashme”, ka shkruar Nagavci në një postim në Facebook.
Në Këshillin Drejtues (KD), i cili është organi kryesor qeverisës i Universitetit, kanë thënë se kësaj çështjeje do t’i jepet prioritet në mbledhjen e radhës, pas pushimit vjetor.
Altin Sahiti, anëtar i KD-së, ka thënë se do të dërgohet për rishikim rregullorja që i parasheh masat për shkeljet akademike, teksa atë e ka vlerësuar si të mangët.
“Në Universitetin e Prishtinës duhet të krijohen mekanizma mbrojtës/parandalues për evidentimin në kohë të këtyre shkeljeve etike, të cilat po e dëmtojnë seriozisht integritetin e profesorit dhe të Universitetit të Prishtinës si institucion. Ne duhet të sigurohemi që po merren masa adekuate për të gjithë shkelësit e parimeve etike”, ka thënë Sahiti. “Për mua është e papranueshme nëse një profesor ka fituar thirrje akademike me punim të vërtetuar që është ‘plagjiaturë’, andaj të gjitha këto do t'i adresojmë qysh në takimin e radhës”.
Sipas Rregullores për të ardhurat personale të personelit akademik, shtesat sipas funksioneve dhe kompensimet e tjera në Universitet, parashihet pagesë prej 20 eurosh për mentorim të diplomave në studimin baçelor. Ndërkaq për studimin master, profesorët kompensohen me një shumë prej 150 eurosh për mbikëqyrje të punimeve të diplomave. E për studimet e doktoratës, vlera e kompensimit është 1200 euro.