Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ndërron jetë gazetari e zëdhënësi i Komunës së Klinës, Agron Gashi

Agron Gashi, ish-korrespodent i Grupit Koha dhe më pas zëdhënës në Komunën e Klinës, ka ndërruar jetë në orët e mbrëmjes të së dielës.

Gashi ka qenë korrespodent i Kohës Ditore që në fillimet e saj, duke përfshirë edhe raportimet gjatë luftës. Ka punuar në Grupin Koha për kohë të gjatë.

Vdekjen e Gashit e ka konfirmuar për Koha.net, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj. Ai ka thënë se rreth orës 17:20 kanë marrë informacionin se Gashi ka ndërruar jetë.

“Policia e Kosovës është duke e hetuar vdekjen. Sipas njoftimit fillestar, i ndjeri ka shkuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë dhe nga aty është liruar. Prapë nuk është ndjerë mirë dhe mjeku menjëherë ka urdhëruar që ai të niset për në Spital. Rrugës për në Spital ka ndërruar jetë”, ka thënë Ibraj për Koha.net. “Trupi i viktimës është nisur për në Prishtinë në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, ka thënë më tej ai.

Nga ana tjetër, sipas burimeve nga komuna e Klinës, ai mesditën e së dielës, gjatë një loje futbolli është përballur me probleme shëndetësore. Megjithëse i është ofruar ndihma e parë në QKMF ai nuk ka mundur të jetojë.

Vdekjen e ka konfirmuar edhe i biri i tij, përmes profilit të tij në Facebook.

I ndjeri ishte 44 vjeç.

Grupi Koha i shpreh ngushëllime familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të gazetarit e zëdhënësit të Komunës së Klinës.

Artikuj të ngjashëm