Seanca e të martës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) ndaj Pjetër Shalës është ndërprerë për 20 minuta, në mënyrë që Shala të kontaktojë me ekipin mbrojtës për këtë periudhë.
Këtë e bëri të ditur, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia.
‘‘Do të bëjmë një pushim prej 20 minutash, njësia e administrimit të gjykatës do të lehtësoj kontaktin ndërmjet të akuzuarit dhe ekipit mbrojtës të tij dhe pastaj do kthehemi përsëri në sallë në mënyrë që të mund të vazhdojmë me kundër-pyetjet ndaj dëshmitarit’’, tha ajo.
Seanca e sotme ka nisur me marrjen në pyetje të dëshmitarit të shtatë (me kodin 1) nga ekipi mbrojtës në seancë private.
Mbrojtësi i Shalës, avokati Mohamed Hedi Aouini ka kërkuar të kalohet në seancë private për të vijuar me pyetjet ndaj dëshmitarit, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
Edhe
Vazhdon gjykimi kundër Shalës, dëshmitari i shtatë intervistohet në seancë private
Shala, sikurse edhe ditët tjera është duke e përcjellë seancën përmes video-lidhjes.
Ky dëshmitar ka filluar dëshminë e tij më 30 maj dhe e vazhduar edhe më 31 maj, duke iu përgjigjur pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS-së) dhe mbrojtësit të viktimave.
Kurse, më 2 qershor ai ka filluar të merret në pyetje nga mbrojtja, të cilët kanë vazhduar edhe më 5 qershor.
Gjykimi ndaj Shalës ka filluar në shkurt.
Edhe
Prokuroria përfundon intervistimin e dëshmitarit të shtatë në gjykimin kundër Shalës
Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt. / Betimi për Drejtësi