Ishte planifikuar që atraksioneve të tjera për vizitorë në Grykë të Rugovës t’i shtohet edhe një tjetër.
Një ballkon me konstrukt nga hekuri e xhami dhe i nxjerrë jashtë nga rruga mbi Lumëbardhë.
Ndërtimi i këtij ballkoni panoramik është pjesë e projektit turistik Kosovë-Shqipëri “Via Dinarica” e Fondit për Zhvillim të Komunitetit, i financuar nga Bashkimi Evropian, raporton KOHA.
Mirëpo këto punime të nisura, siç tha Syka-Kelmendi, e cila deri para një muaji ka qenë drejtoreshë e Zhvillimit Ekonomik, ua ka ndërprerë Drejtoria e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.
Drejtori i Parkut, Fatmir Morina, i ka thënë KOHËS se punimet kanë filluar pa leje të Ministrisë së Mjedisit, e të cilat i ka ndaluar drejtoria e parkut bashkë me policinë dhe Inspektoratin nga niveli qendror.
Morina tregoi se pa u miratuar plani hapësinor për Parkun Kombëtar, asnjë institucion nuk ka të drejtë të japë çfarëdo leje, përfshirë edhe Komunën.
Për ndërtimin e këtij ballkoni Drejtoria e Urbanizmit kishte lëshuar pëlqim urbanistik, dhe se, sipas drejtorit të Urbanizmit, Rajan Arapi, për këtë ballkon nuk ka pasur nevojë për pëlqim hapësinor nga Ministria.
Pasi që janë ndërprerë punimet, rasti ka përfunduar në Prokurorinë Themelore të Pejës, e cila, siç tha zëdhënësi i saj, Shkodran Nikçi, janë duke ndërmarrë veprime para-hetimore.