Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka marrë vendim për ndalimin e qarkullimit të motoçikletave, biçikletave, trotineteve elektrike e mjeteve tjera të ngjashme brenda hapësirës së Bulevardit të qytetit.
Siç thuhet në këtë vendim, kjo është bërë me qëllim të parandalimit të rrezikimit apo lëndimit të qytetarëve në Bulevardin e qytetit.
“Masa e ndalimit të ngasjes së mjeteve sipas nenit 1 bëhet për shkak të pengimi të qarkullimit të lirë të qytetarëve në Sheshin/Bulevardin e qytetit dhe me qëllim të parandalimit të çfarëdo forme të rrezikimit apo lëndimit të qytetarëve, si dhe të evitimit të ndonjë dëmi eventual. Për zbatimin e vendimit kujdesen Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit dhe Drejtoria e isnepksionit, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës”, thuhet në vendimin e Bulliqit.
Ditëve të fundit janë shtuar ngasësit e trotineteve elektrike të cilët ofrohen me pagesë në Bulevardin e qytetit të Podujevës dhe ka pasur edhe raste që janë goditur kalimtarët nga ngasësit e tyre.