Arbëri

Ndalet përhapja e zjarreve, zjarrfikësit presin shtim të kapaciteteve

Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave ka njoftuar se zjarret në Kosovë janë ulur dukshëm dhe situata është e menaxhueshme. Edhe vatrat në Shtupeq të Bjeshkëve të Nemuna janë lokalizuar, ndonëse për t’u shuar tërësisht duhet intervenim nga ajri. Përfaqësues të komunave e zjarrfikësve thonë që ende janë në pritje të përgjigjes për kërkesën e tyre që kapacitetet e zjarrfikësve të përmirësohen për të ardhmen.

Zjarret që u përhapën dita-ditës javët e kaluara në Kosovë tani janë lokalizuar dhe të menaxhueshme. Përveç disa vatrave të vogla në vende të tjera, sipas Agjencisë për Menaxhimin e Zjarreve, situata mund të paraqesë rrezik vetëm në fshatin Shtupeq në Komunën e Pejës.

“Nga informacionet e marra përmes Qendrave Operative Emergjente në të gjithë territorin e Kosovës situata paraqitet e qetë. Zjarre fushore dhe shkurre të menaxhueshme nga kapaciteti vendor i zjarrfikjes dhe Shpëtimit NJPZSH, përjashtuar këtu rastin me bjeshkët e Rugovës - Shtupeq, i cili monitorohet nga afër për ndërhyrje dhe eliminim të rrezikut për zgjerim... Njësitë e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit janë aktive në të gjithë territorin, situata është nën kontroll”, ka thënë zëdhënësi Nehat Koqinaj.

Për zjarrin në Shtupeq, Fatmir Morina, drejtor i parkut “Bjeshkët e Nemuna”, ka deklaruar se kjo vatër është e intensitetit të vogël.

“E kemi një zjarr aktiv, i cili është i intensitetit të vogël te maja e Fakut ne një lokalitet tjetër, edhe tash aty është e pamundur të ndërhyhet nga ne dhe zjarrfikësit, dhe është problem pasi aty mundet me u intervenu vetëm përmes ajrit. Dje i kemi bërë të gjitha kërkesat pranë Agjencisë së Emergjencave e tash po presim. Nuk ka shumë përhapje të madhe po ka tym, po në qoftë se fryn ndonjë erë e madhe mund të përhapet”, ka njoftuar ai.

Për situatë të qetë të zjarreve ka folur për KOHËN edhe kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj. Ai ka thënë se ka raste nëpër fshatra ku janë disa zjarre të vogla, por gjithçka po menaxhohet si duhet. Muharremaj ka shtuar se ndaj kërkesës për rritje të numrit të zjarrfikësve ende nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet kompetente.

E për kërkesën mbi rritjen e numrit të zjarrfikësve për KOHËN ka folur edhe Latif Zeka, shefi i zjarrfikësve nё Prishtinё.

“Ne kërkesën për rritje të numrit të zjarrfikësve nëpër komuna e kemi dërguar, gjithashtu kemi kërkuar edhe rregullimin e statusit të zjarrfikësve, gjë e cila është peng për vite të tëra. Tani jemi duke pritur për përgjigje për këtë premtim që na është dhënë nga kjo qeveri”, ka thënë ai.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent u bën apel të gjithë qytetarëve të Kosovës për kujdes të shtuar në periudha të ngritjeve të temperaturave dhe ta shmangin ndezjen e zjarreve.