Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nuk ka treguar se kur do të nisë viti i ri shkollor. Në Interaktiv të KTV-së ajo ka thënë se vendimi do të merret në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, duke i respektuar rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë. Megjithatë, ka thënë se s’ka rekomandime aktualisht.
Të enjten KOHA raportoi se Ministria e Arsimit dhe Qeveria janë marrë vesh që për shkak të rasteve të shumta me COVID-19 fillimi i vitit të ri shkollor të shtyhet për 13 shtator.
Ministrja nuk ka pranuar të flasë për ndonjë datë të caktuar, por ka thënë se Ministria, komunat dhe shkollat tashmë janë të gatshme për nisjen e mësimit më 1 shtator.
“Sa na i përket neve si ministri, por edhe komunave e shkollave janë bërë të gjitha përgatitjet. Natyrisht situata me pandeminë, sidomos ditëve e javën e fundit me numrat gjithmonë në rritje na kthejnë në vëmendje se për marrjen e vendimit duhet respektuar në tërësi rekomandimet e ekspertëve e IKSHPK-së. Do të merret vendimi në mbledhjen e radhës së Qeverisë. Besoj që deri në fund të kësaj jave do të merret vendimi. Masat aktuale janë në fuqi deri më 1 shtator, e vendimi i ri duhet të merret para 1 shtatorit. Ne i respektojmë rekomandimet e IKSHPK-së. Aktualisht rekomandimet janë që të kihet kujdes për respektim masash duke ruajtur distancën, me rëndësi të madhe është vaksinimi, por është ngritur shqetësimi se duhet të kemi vaksinim më të madh të popullatës sepse bëhet fjalë me lëvizje të fëmijëve dhe jo vetëm me praninë e tyre në shkollë”, ka thënë ajo. “Nuk ka rekomandime specifike për kohën. Jemi të njoftuar se trendët po ndryshojnë. Bëhet fjalë edhe për një javë deri te planifikimi për fillimin e vitit të ri shkollor. Po e përcjellim situatën dhe në mbledhjen e ardhshme do të merret vendimi për fillimin e vitit të ri shkollor.”
Sa i përket procesit të vaksinimit, Nagavci ka thënë se 72 për qind e stafit mësimdhënës dhe stafit tjetër janë vaksinuar ndaj COVID-19. 10 mijë persona kanë marrë nga një dozë, ndërsa mbi 9 mijë e 200 të tjerë janë të vaksinuar me të dy dozat.
Sipas saj, ende janë rekomandimet për skenarët e mësimit sikur ato të vitit të kaluar: për mësim me klasa të përgjysmuara; mësim nga distanca; dhe mësim të kombinuar. Ka shtuar se po përgatitet edhe skenari për rikthim të plotë në shkolla.
Nagavci tutje tregoi se bashkëpunimi me Këshillin e Prindërve është tejet korrekt.
‘’E mirëkuptoj çdo shqetësim të prindërve dhe mirëpres çdo rekomandim e sugjerim të tyre. Është e natyrshme që prindërit të kërkojnë të shtyhet mësimi, me situatën aktuale. I trajtoj me kujdes të gjitha mesazhet. Dua t’i siguroj ata se ndajmë të njëjtin shqetësim dhe do të merret vendimi për të mirën e nxënësve. Në nivel qendror, Këshilli i Prindërve janë pjesë e çdo grupit punues. Bashkëpunimi jonë është korrekt e i mirë. Ka momente kur nuk pajtohemi, por diskutojmë me argumente. SBASHK-u dhe Këshilli i Prindërve kanë thënë se i respektojnë rekomandimet dhe vendimet e institucioneve’’, deklaroi ajo.
Nagavci flet për moskoordinim me nivelin lokal sa i përket menaxhimit të çerdheve
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e ka pranuar se është informuar nga mediat lidhur me mbylljen e disa grupeve të fëmijëve në disa çerdhe të Prishtinës, si pasojë e prekjes së fëmijëve me COVID-19.
KTV-ja ka raportuar ditë më parë se 7 grupe në 8 çerdhe të Prishtinës janë mbyllur si pasojë e prekjes me koronavirus.
Ndërkohë Nagavci ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se si ministri, janë tejet të ngarkuar me punë, duke pasur parasysh siç ka thënë, kërkesat e shumta për informata nga komunat, mediat e individë të caktuar.
“Ne marrim me qindra kërkesa gjatë ditës. Ne i posedojmë informatat po gazetarja është dashur t’i ketë informatat shumë më shpejtë, jemi të interesuar që të ofrojmë të gjitha të dhënat për qytetarët dhe opinionin, ka pyetje të shumta dhe jemi të hapur të rrisim edhe bashkëpunimin”, ka thënë Nagavci.
Ajo ka shtuar se e gëzon fakti i përgjegjësisë që tregojnë komunat në raport me mediat.
“Në Ministri të dhënat përcillen nga komunat, është një hallkë më tepër. Komunat edhe sipas ligjit dhe përgjegjësive të fundit është shumë mirë që janë tepër të përgjegjshme. Ata janë në linjën e parë, është shumë mirë kur vetë komunat veprojnë dhe mua më gëzon fakti i përgjegjësisë dhe kujdesit që tregojnë në vetë shkolla dhe komuna”, është shprehur ajo.
Nagavci ka folur edhe për kujdesin ndaj fëmijëve në çerdhe, duke thënë se është për këto institucione është përcaktuar numri maksimal i fëmijëve si pasojë e shtimit të rasteve me COVID-19 ditëve të fundit në Kosovë.
“Çështja e kujdesit të fëmijëve në çerdhe dhe kopshte ka trajtim dhe vëmendje të veçantë sepse lëvizja e fëmijëve mund të shkaktojë bartjen e virusit. Edhe për çerdhe është përcaktuar numri i maksimal i fëmijëve. Rekomandimet janë që të shmangen lëvizjet prej një grupi në një grup dhe kontaktet me personat e tjera sa më shumë që të jetë e mundshme. Kjo është një përgjegjësi e përbashkët e të gjithëve, bashkëpunimi duhet të ekzistojë edhe me prindërit. Ne mund të kujdesemi maksimalisht, të kontrollojmë e centralizojmë gjithçka, mirëpo ata fëmijë nëse kur dalin prej klasës vazhdojnë tubimet në familje apo jashtë, atëherë virusi shpërndahet prandaj kjo është një çështje që i tejkalon mundësitë e Ministrisë së Arsimit”, ka ministrja Nagavci.
Ministrja Nagavci ka mohuar akuzat se është bërë shkelje ligjore në procesin e ndarjes së bursave për studentë që të studiojnë në top universitetet e botës.