Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se kërcënimi me grevë në arsim nga ana e SBASHK-ut është i papranueshëm.
Ajo ka thënë se me grevë vetëm dëmtohet procesi mësimor, ndërsa në arsim rezultatet edhe ashtu nuk janë ato që i dëshirojnë.
“Kërcënimi me grevë për 1 shtatorin, ditën e parë të mësimit për vitin 2022 - 2023 është i papranueshëm. Çfarë do të mbërrihet me çfarëdo greve është vetëm dëmtim i procesit të mësimit për fëmijët tanë. Rezultatet në arsim nuk janë ato që i dëshirojmë. Duhet shumë punë e përkushtim nga të gjithë, në mënyrë që të kemi ndryshime pozitive. Ata që ja duan të mirën vendit, të ardhme më të mirë për fëmijët e suksese të përbashkëta duhet të ftojnë për angazhim dhe jo për greva, bllokada e pengesa”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Ajo ka shtuar se Qeveria e Minisria e Arsimit po punon me intensitet të shtuar në të gjitha drejtimet, përfshirë edhe në ligjin e pagave.
“Si Qeveri e në Ministri të Arsimit, po punojmë me intensitet të shtuar në të gjitha drejtimet, në legjislacion, përmirësim të infrastrukturës shkollore, mbështetje për mësimdhënësit e nxënësit dhe nuk e kemi ndërmend të ndalemi. Edhe legjislacioni që i rregullon pagat dhe të tjera po bëhet dhe do të bëhet si më mirë të jetë e mundshme. Koha është për punë, e mbi të gjitha, askush nuk ka të drejtë t'u mohojë fëmijëve të drejtën për shkollim”, tha Nagavci.
Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në emisionin “SOT” në KTV ka paralajmëruar greva më 1 shtator.
“Kemi vendosur që pasi qe qeveria nuk po do dialog është vendosur që më 10 gusht, kryesia e BSPK-së të ulet dhe njëherë dhe t’i qartësojë gjërat, mirëpo është thënë dhe vendosur që nëse kështu vazhdohet, në pjesën e fundit të gushtit sistemi arsimor por edhe të tjerë do të fillojnë me greva, 1 shtatori në vend të ziles dhe nxënësve do t’i gjejë institucionet arsimore dhe sektorët tjerë në grevë. Qeveria jo vetëm që nuk u angazhua t’i zgjedhë kërkesat tonë por as që u lodh të ulet e të bisedojë me përfaqësues të sindikatave”, ka thënë Jasharaj.