Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Jasharaj: Viti shkollor do të nisë me telashe, fajin e ka MASHTI me në krye ministren Nagavci

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se viti shkollor do të nisë pa greva, porse do të nisë keq për fajin e Ministrisë së Arsimit dhe ministres Arbërie Nagavci, që nuk kanë bërë përgatitjet e duhura për tekstet shkollore.

Jasharaj në takimin me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve, ka thënë se “MASHTI ka pasur dëshirë që viti të niste me greva e që gishti t’i drejtohej SBASHK-ut”.

“Jemi të lumtur që ky vit shkollor po fillon pa greva e veprime sindikale, e kjo duhej të gëzonte Qeverinë e ministren Nagavci, por duket se më shumë do t’i kishte gëzuar greva për të drejtuar gishtin drejt nesh e për t’u heshtur lëshimet e mungesën që MASHTI është dashur ta bënte. Ky vit shkollor do të fillojë i përcjellë me vështirësi, që i krijoi MASHTI, me eksperimentin e gabuar për tekste shkollore”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj ka thënë se ministrja Nagavci “po mban inat për grevat e vitit të kaluar dhe nuk po takohet as me SBASHK, e as me këshille të prindërve e me Asociacion të Komunave”.

Jasharaj ka thënë se metoda për të aplikuar për subvencionim për tekste shkollore nëpërmjet “E-Kosova” e vështirëson fillimin e vitit shkollor dhe se do të kalojnë ditë “e nxënësit s’do të pajisjen me tekste shkollore”.

“Viti shkollor do të fillojë keq me fajtor të vetëm Ministrinë e Arsimit me në krye znj. Nagavci”, ka thënë Jasharaj.

Edhe “Pajtohen” SBASHK-u me Ministrinë e Arsimit Arbëri “Pajtohen” SBASHK-u me Ministrinë e Arsimit

Jasharaj ndër të tjera ka pasur një kërkesë për ministren Nagavci që ta zgjidhë çështjen e mësimdhënësve që vuajnë nga sëmundje të rënda.

“Ne kërkojmë nga ministrja Nagavci që të marrë qëndrim dhe të kemi një situatë të zgjedhur për kolegët tanë me sëmundje të rënda, ngase ata janë pezull. Një vit u është siguruar që të mos punojnë e të marrin paga. Ky numër mbetet i lartë. Janë diku 400 punonjës të arsimit me sëmundje të rënda, si kanceri etj, por nëse MASHTI nuk bën zgjedhje ata do të detyrohen që të shkojnë në shkollë sa për të ruajtur vendin e punës, e sa të ushqejnë familjet e tyre”, tha Jasharaj.