Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se buxheti për sektorin e arsimit për vitin 2023 do të jetë për 12 për qind më i lartë në krahasim me buxhetin e vitit 2022.
Nagavci ka thënë të enjten në “Interaktiv” të KTV-së se buxheti i arsimit për vitin 2023 do të jetë mbi 82 milionë euro.
“Rritja ka qenë përmbajtjesore, ka plot politika të reja. Këtë vit janë ndarë 6,5 milionë euro për pajisjen e shkollave me teknologji të informacionit dhe komunikimit. 6,5 milionë janë ndarë për ndërtimin e çerdheve të reja, 2,8 milionë për punësimin e 300 asistenëve të rinj për fëmijët me nevoja të veçanta. Kemi parapara për herë të parë punësimin e këshilltarëve të karrierës nga klasa e 5-të deri në klasën e 9-të. Janë paraparë 150 milionë euro për instalimin e sistemit anti-plagjiat në arsimin e lartë”, ka thënë Nagavci teksa ka renditur disa prej investimeve që janë planifikuar.
Ajo po ashtu ka folur për ndërtimin e çerdheve të reja, duke thënë se e kanë synim përfshirjen sa më të madhe të fëmijëve në edukimin e hershëm.
“Synimi jonë ka qenë që të rritet përfshirja e fëmijëve në edukimin e hershëm. Sepse tashmë është e dokumentuar me studime kredibile ndërkombëtare që çdo investim në edukimin e hershëm kthehet shumëfish për individin, familjen, shoqërinë dhe shtetin”, është shprehur ajo.