Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit dhe i pari i ftuar nga Gjykata Speciale, Rrustem Mustafa, ka thënë se ka përkrahur themelimin e Gjykatës Ndërkombëtare, pasi duhet mbyllur kapitulli i viteve të kaluara, ndërsa sipas tij, fjalët dhe propaganda sugjestive, si dhe percepcionet e krijuara për UÇK-në, do të rrëzohen dhe eprorët e UÇK-së do të dalin faqebardhë.
Ai ka shkruar se pret që Gjykata Speciale të zgjerojë fushëveprimin e saj dhe të ndiqen krimet ekonomike, të ndiqen ata që në mënyrë të orkestruar kanë keqpërdorur asetet kombëtare, si pronat, ndërmarrjet publike deri te defunksionalizimi i institucioneve vitale në vendin tonë.
Mustafa në një postim në Facebook ka shkruar se UÇK ka përfunduar detyrën në 1999, ndërsa kohët e tashme duhet të trajtohen me interes dhe prioritet.
“Vetëm falë organizimit vendor politik dhe ushtarak UÇK-së, sot gëzojmë lirinë, tjerat vijnë pas si mbështetje e kohës. Askush s'do të duhej të përdorte shkronjat UÇK, apo kohën e lavdisë”, thotë ai.
Ai thotë se, thurja e lëvdatave apo hetimet mbi atë se çfarë ka ndodhur para 20 vitesh,nuk mundet të ndikojë në kualitetin e jetës së qytetarëve, hetimet mbi kohën e lavdisë do të përfundojnë shpejt dhe mirë.
“Vazhdimisht sfidohemi nga krimet ekonomike, korrupsioni, nepotizmi dhe mafiat përtej kufinjëve kombëtar. Hapja e rrugës për ndërtim të shtetit të së drejtës, duhet t’i eleminojë grupet vendore apo edhe ato ndërkombëtare të natyrës kriminale. Të tilla “shoqëri” kriminale duhet të hetohen dhe të ndalohen”, thotë ai.
Mustafa thotë se duhet të ndërtojmë shtetin e suksesit duke mos justifikuar mospunen dhe dështimet tona me kohët e vjetra si ajo e okupimit, organizimit të luftës apo edhe lëvizjeve politike klandestine.
“Unë jam nga ata qe kam përkrahur Gjykatën Ndërkombëtare, ne duhet të mbyllim kapitullin e viteve të kaluara. Jam i sigurt se gjatë kohës së luftës në Kosovë, nuk ka krime të kryera që mund të përkufizohen si krime lufte, fjalët dhe propaganda sugjestive si dhe percepcionet e krijuara për UÇK-në e di se do të rrëzohen dhe ne edhe individualisht, eprorët e UÇK-së do të dalin faqebardhë”, thotë ai.
Ai tutje ka shtuar se pret që Gjykata Speciale të zgjeroj fushëveprimin e saj dhe të ndiqen krimet ekonomike, të ndiqen ata që në mënyrë të orkestruar kanë keqpërdorur asetet kombëtare, si pronat, ndërmarrjet publike deri te defunksionalizimi i institucioneve vitale në Kosovë.
“Mendoj se ka pasur një koordinim të qarqeve “akademike” e shoqërore për të defunksionalizuar gjithë ato institucione te krijuara me mund si gjykatat, universitetet dhe gjithçka qe i jepte fryme zhvillimit dhe rrugës se vendit për ecje se mbari!Këto prioritete, nuk duhet kushtëzuar mes vete. lmplementimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, Gjykata Speciale, Liberalizimi i vizave, qasja për ekonomi zhvillimore”, thotë ai.
Sipas tij, ecja drejtë shtetit të suksesshëm, do të bëhet, ata që i takojnë kohëve të lavdisë nuk kanë pse të shqetësohen për kohët e arta.
“Ne duhet të bëjmë punët që na takojnë”, përfundon ai.