Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan, Qemajl Mustafa, ka thënë se PDK-ja po insiston se do të pastrohet nga njerëzit që kanë aktakuza duke i hequr nga listat zgjedhore, në mesin e të cilëve është edhe ai.
Mirëpo Mustafa ka thënë se PDK-ja nuk mund ta pastrohet duke e hequr atë nga lista, pasi siç ka thënë ai ndihet i pastër dhe ende nuk ka vendim të Gjykatës në procesin ndaj tij.
“Unë e kam një aktakuzë e cila amshueshëm më mban pezull që pesë vite dhe kurrë nuk e merr fundin, dhe lidershipi menduan që përmes Qemajl Mustafës mund ta pastrojnë listën e PDK-së, por nuk munden ta pastrojnë partinë përmes meje sepse unë ndjehem dhe jam i pastër por edhe Gjykata nuk ka pru ende një vendim”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, PDK-ja ka nevojë ta ndërrojë projektin e vet karshi shtetit të Kosovës dhe rrjedhave të funksionimit të shtetit.
Mustafa ka thënë në “Desku” të KTV-së se ai edhe pse është pjesë e kryesisë së PDK-së, nuk merr pjesë në takimet e saj pasi, siç ka thënë, nuk po arrin të artikulohet aty.
“PDK-ja po e kalon një periudhë aspak të mirë, është një periudhë kur asaj më së shumti i duhet solidaritet, disiplinë e brendshme, debat i brendshëm, sepse PDK-ja ka dy fronte të mëdha të punës, e ka frontin e brendshëm dhe frontin e jashtëm, kauzën, projektin, duhet ta ndërrojë projektin e vet PDK-ja karshi shtetit të Kosovës dhe rrjedhjeve. Është një periudhë jo e mirë, unë që një kohë nuk shkoj në takimet e kryesisë pasi nuk kam parë që mund të artikulohem aty pasi shpesh kryesia merr vendim kundër asaj qe marrim në degë të partisë dhe po krijohet një diskrepancë mes asaj se çka mendohet në terren dhe në qendër”, është shprehur ai.
PDK-ja do të mbajë Konventën e radhës të partisë më 3 korrik të këtij viti, ku përveç kryetarit do të zgjidhen edhe strukturat e tjera drejtuese.