Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa përmes një telegrami ka ngushëlluar familjen Kastrati për vdekjen e mjekut prof. dr. Binak Kastratit.
“Sot pranova lajmin e hidhur që ka ndërruar jetë prof. dr. Binak Kastrati, ndër mjekët e parë shqiptarë në Kosovë. Ai u angazhua tërë jetën për ndërtimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe të arsimimit të gjeneratave të reja të mjekëve në vendin tonë. Dr. Kastrati dha kontribut të pafund në institucionet shëndetësore para dhe gjatë viteve të 90-ta dhe u zgjodh deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës në zgjedhjet e para demokratike të vitit 1992. Dr. Kastrati ishte kryetar i Shoqatës së Mjekëve shqiptar gjatë periudhës 1990-1999 ku ishte aktiv në sensibilizimin e çështjes shqiptare duke përfaqësuar Kosovën në Evropë dhe më gjerë”, thotë Mustafa.
Tutje ai shkruan se Dr. Kastratin do e kujtojmë gjithnjë si mjek, humanist, atdhetar dhe profesor i shumë gjeneratave të mjekëve dhe specialistëve në Kosovë.
