Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mustafa i bindur se LDK-ja do të udhëheq në Mitrovicë pas zgjedhjeve të vjeshtës

Praninë e qytetarëve në tubimin me të cilin ka shënuar 27 vjetorin e themelimit të degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Mitrovicë, kryetari i saj Isa Mustafa e ka përkthyer në siguri se në zgjedhjet lokale që do të mbahen sivjet kjo parti do të udhëheq me Komunën e Mitrovicës.

“Kemi forcë, kemi unitet, kemi dije por kemi edhe orientim shumë të mbarë që Mitrovica si pjesë shumë e rëndësishme e Kosovës të zhvillohet ashtu siç e meriton”, citohet të ketë thënë lideri i LDK-së, njëherësh kryeministër i vendit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas njoftimit të kësaj partie, Mustafa në Mitrovicë shprehu përkushtimin për zhvillimin e Trepçës, sipas tij, “ashtu siç po zhvillohet Kosova”, duke theksuar rëndësinë e saj për tërë Kosovën. Duke folur për ata që po e kundërshtojnë Ligjin për Trepçën, ai tha se ky Ligj iu siguron minatorëve të Trepçës dinjitet, iu siguron perspektivë, iu siguron zhvillim.

“Ne do ta përkrahim këtë zhvillim deri në fund sepse ne mendojmë se Trepça duhet të zhvillohet, të ndërtohet dhe vetëm ata qe nuk ia duan të mirën këtij vendi e mendojnë Trepçën ndryshe”, tha i pari i LDK-së dhe Qeverisë së Kosovës.

Më tej, kryetari Mustafa tha se uniteti do t’i siguroj LDK-së edhe fitoren në Mitrovicë dhe më gjerë, duke uruar veprimtarët e LDK-së për këtë përvjetor dhe duke i falënderuar për kontributin që po japin për LDK-në.

Kryetari i Degës së LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi, në fillim të tubimit ka përkujtuar dhe ka kërkuar një minutë heshtje për Ermal Kamberajn, të riun që u vra para dy ditësh në Mitrovicë.

Më tej, kryetari Kamberi shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuuar për themelimin dhe avancimin e LDK-së në Mitrovicë.

Kamberi më tej foli për aktivitetet që po zhvillohen në kuadër të Degës së LDK-së në Mitrovicë, duke theksuar përkrahjen në rrije të të gjithë qytetarëve të Mitrovicës pa dallim moshe e gjinie dhe profesioni për LDK-në, duke shprehur njëkohësisht besimin se LDK-ja do të rikthehet si partia e parë në Mitrovicë.