Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Musa: Nisja e procesit gjyqësor ndaj Shalës është vonuar

Avokati Skënder Musa, ka thënë se nisja e procesit gjyqësor në rastin e Pjetër Shalës nga Dhomat e Specializuara është vonuar.

I ftuar të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Musa ka thënë se rasti i Shalës është specifik sepse bëhet fjalë për një të akuzuar, veprimtaria e të cilit sipas aktakuzës, është zhvilluar në Kukës, jashtë territorit të Kosovës dhe në një vend që atëkohë ka qenë shtet.

“Nisja e procesit gjyqësor në rastin e Shalës është vonuar. Është rast specifik sepse bëhet fjalë vetëm për një të akuzuar dhe veprimtaria e tij sipas aktakuzës është zhvilluar në Kukës, në Republikën e Shqipërisë, dhe një pjesë e atyre veprave që thuhet se janë kryer mund të dëshmohet lehtë që nuk janë kryer sepse Shqipëria ka qenë shtet, ka pasur institucione, polici, dhe nëse ka pasur maltretime të tilla, secila palë e dëmtuar ka pasur rastin t’i paraqesë në territorin e një shteti sovran. Te rasti i tij pajtohem me mbrojtjen se kjo çështje penale është ngritur vetëm në bazë të thashethemeve, sepse ka qenë përkthim bukfal dhe ka pasur vetëm prova rrethanore jo të drejtpërdrejta”, ka thënë ai.

Ai është deklaruar edhe rreth bastisjes së fundit të ndodhur të mërkurën në shtëpinë e ish-këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj, për çka ka thënë se nëse ka elemente të shkeljes së Kushtetutës, rasti mund të adresohet në Gjykatën Kushtetuese që është në kuadër të dhomave të Specializuara.

“Nëse ka elemente të shkeljes së Kushtetutës, mund të adresohen në Gjykatën Kushtetuese që është në kuadër të dhomave të Specializuara, siç dihet Kosova ka bartur një pjesë të sovranitetit të institucioneve të saj në Dhomat e Specializuara dhe tani çdo shkelje që mund të bëhet nga ana e zyrtarëve të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke përfshirë edhe prokurorin special, mund të bëhen vetëm në gjykatat që janë të themeluara nga Gjykata Speciale. Ne nuk duhet t’i nënshtrohemi asnjë regjimi, nuk duhet të zbulojmë identitetin e dëshmitarëve, nuk duhet ta pengojmë drejtësinë, por kemi të drejtë ta kritikojmë mospunën e secilit institucion të RKS, duke përfshirë edhe Gjykatën Speciale. Nuk konsideroj se mund të ndiqet dikush penalisht për një opinion të paraqitur në mjetet e informimit sepse ekziston liria e shprehjes. Duhet të dallohet pengimi i drejtësisë me lirinë e shprehjes, e cila nuk ka asnjë lidhje formale-juridike me pengimin e drejtësisë”, ka thënë ai.

Edhe Musa: Prokurorët e gjyqtarët në Hagë s’do të guxonin t’i bënin këto shkelje në vendet e tyre Arbëri 2 muaj më parë Musa: Prokurorët e gjyqtarët në Hagë s’do të guxonin t’i bënin këto shkelje në vendet e tyre

Sa i përket procesit të gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së, ai ka konsideruar se afati prej dy vjetësh nuk është shumë i vonuar.

“Konsideroj se është vonuar pak procesi gjyqësor, mirëpo për një proces gjyqësor të tillë, një afat prej 2 vjetësh nuk është shumë i vonuar sepse në radhë të parë Gjykata Speciale të gjitha provat që i ka marrë qoftë nga Kosova apo Serbia, është dashur t’i përkthejë në gjuhën që e kuptojnë prokurorët. Procesi gjyqësor, dinamika dhe afati kohor i caktuar bëhen varësisht nga materialet dhe dëshmitarët që do të dëgjohen, pastaj edhe ekspertët dhe çështjet tjera, duke marrë parasysh numrin e madh të dëshmitarëve që janë paraqitur nga Prokurori Special, është parë ajo dinamikë, mund të ndryshojë kjo dinamikë sepse edhe Prokurori edhe mbrojtësit mund të heqin dorë nga një numër i dëshmitarëve. Pas fillimit të procesit gjyqësor konsideroj se është mirë që ka filluar procesi dhe duhet të shqyrtohen edhe masat e sigurisë në procedurë dhe t’u jepen garancitë e nevojshme që t’u jepet mundësia të mbrohen në liri të akuzuarve pikërisht për shkak të zgjatjes së procesit”, ka thënë ai.