Avokati Skender Musa ka thënë se ka qenë i pritur vendimi i Gjykatës së Lartë në Beograd për lirimin e Milan Radoiçiqit.
Ai ka thënë se arrestimi, dyshimet dhe mbajtja për 24 orë të Radoiçiqit kanë qenë vendime politike dhe jo juridike.
Sipas tij, edhe pretendimi i mbledhjes së provave është vetëm improvizim i Serbisë. Ka shtuar se Kosova mund ta kushtëzojë shkuarjen në dialog me ekstradimin e personave që kanë marrë pjesë në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
“Qëllimi ka qenë të krijohet alibi kinse Qeveria e Serbisë nuk ka qenë e përfshirë në sulmin në Banjskë. Kjo ka qenë një ‘hajgare’ me faktorin ndërkombëtar dhe përpjekje e dëshpëruar që ta amnistojë Serbinë dhe Radoiçiqin”, ka thënë ai.
Musa në Interaktiv të KTV-së ka thënë se asnjë qytetar tjetër për vepra të tilla nuk do të lirohej.
Ka shtuar se në Serbi të gjitha institucionet janë të varura nga politika.
Sipas tij, dëmi është shkaktuar në territorin e Republikës së Kosovës.
“Serbia dejure Kosovën e ka pjesë të saj, por jo edhe defakto. Gjendjen faktike Serbia e pranon, me faktin që është ulë në tryezën e diskutimeve. Në bazë të këtyre akteve, Kosova është etnitet i pranuar nga Serbia”, ka thënë ai.
Musa ka deklaruar se komuniteti ndërkombëtar duke filluar nga SHBA-ja dhe BE-ja, duhet t’i ketë kërkesat e qarta.
Sipas tij, kërkesë kryesore duhet të jetë që hetimi të bëhet nga autoritetet e Kosovës.
Ka thënë se hetimi ndërkombëtar nuk është i nevojshëm, pasi sipas tij, provat janë shumë të forta.
Musa ka potencuar se hetimi ndërkombëtar duhet të orientohet në territorin e Serbisë në mënyrë që të hetohen se ku janë marrë armët dhe a janë keqpërdorur fondet amerikane.
“Nuk mendoj që amerikanët shkelin njërin sy kur janë në pyetje donacionet e tyre. Nëse ky rast anashkalohet nga faktori ndërkombëtar atëherë i bie që do të përsëritet historia. Numri i personave të përfshirë në sulm mund të jetë ende më i madh. Është e domosdoshme që faktori ndërkombëtar t’i bëjë presion Serbisë që t’i identifikojë ata persona. Radoiçiqi është i rëndësishëm në procesin e hetimit. Duhet të vërtetohet që Radoiçiqi dhe grupi i tij kanë marrë armatimin nga kazermat ushtarake të Serbisë, armatimi nuk ka mundur të dalë pa lejen e presidentit i cili është komandant suprem i forcave. Kjo nuk mund të bëhet nga Kosova, por nga ndikimi i faktorit ndërkombëtar”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se armët e sekuestruara janë të prodhuara në Serbi, pa asnjë dyshim.
Musa ka thënë se autoritetet kosovare duhet të insistojnë që faktori ndërkombëtar të bëjë presion mbi Vuçiqin që t’i dorëzojë të gjithë të dyshuarit.
“Ka mundësi që një gjë e tillë të realizohet, pasi nuk e di se me çfarë të drejte mund të insistojnë në dialog Borrelli dhe Lajçaku. Duhet të përdoret kushti që të dorëzohen personat që kanë marrë pjesë në sulm në mënyrë që të ulen në negociata”, ka thënë ai.
Musa ka thënë se është herët të vërtetohet lidhja e Listës Serbe me aksionin në Banjksë.