Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që votimi për kryetar të Kuvendit të jetë i hapur dhe se kandidati i njëjtë mund të votohet tri herë.
Murati e ka quajtur të padrejtë këtë vendim, duke e akuzuar Kushtetuesen se synon që t’ia sigurojë “gardës së vjetër në tavolinë atë që nuk ua dha populli me votë”.
“Kjo e fakton padyshim se vendimet e kësaj Gjykate nuk bazohen në Kushtetutë, por bazohen në atë se cila parti është në pyetje”, ka shtuar ai.
Murati ka thënë se më 2014 kjo gjykatë ishte bërë vegël e PDK-së dhe ka tentuar që me çdo kusht ta mbajë në pushtet me anë të disa vendimeve.
“Qeveria nuk mund të formohej pa fituesin e zgjedhjeve, pra PDK-në. Nëse nuk ishte PDK-ja në Qeveri, vendi duhej të shkonte në zgjedhje. Pozita e Kryetarit të Kuvendit i takonte fituesit të zgjedhjeve, pra PDK-së, dhe deputetët s’kishin rrugë tjetër pos ta realizonin këtë, qoftë me votim të hapur, të fshehur, apo çfarëdo forme tjetër”, ka shkruar ai.
Ai ka përmendur edhe disa raste të tjera që, sipas tij, kjo gjykatë ka marrë vendime jo të drejta.
“Në vitin 2020, Gjykata Kushtetuese bëri kthesë dhe e ndryshoi pikën 1, kur i dha të drejtë Presidentit asokohe që të mandatonte një qeveri pa fituesin brenda, sepse fituesi ishte Lëvizja Vetëvendosje. Në vitin 2025, kësaj radhe në disa akte, Gjykata Kushtetuese përsëri bëri kthesë edhe për pikën e dytë, ku tash e thotë se vetëm votimi i hapur është i vlefshëm, dhe madje vendos edhe kufizim në vetëm 3 tentime, sepse fituesi është Lëvizja Vetëvendosje. E provuan më 2020, kur thanë se populli nuk vendos se kush e udhëheq qeverinë, dhe populli ua dha përgjigjen më 14 shkurt 2021. Po dëshirojnë ta provojnë përsëri më 2025, dhe përsëri populli do t’ua japë përgjigjen”, ka thënë ai.
Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Saranda Bogujevci, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka hedhur akuza ndaj gjyqtarëve duke thënë se 5 nga 6 prej tyre janë nga koha e kur në qeveria kanë qenë PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma.
Sipas saj është e kotë që të fitohen zgjedhjet.
“Demokracia përfaqësuese u anulua në Kosovë dhe nuk vlen më. Kot i fiton zgjedhjet, kot del i pari. 6 gjyqtarë, nga të cilët 5 nga koha e PAN-it dhe njëri i lidhur me Serbinë, shkelin vullnetin e popullit, riinterpretojnë vendimin e vet dhe gjejnë shkelje veçse te Avni Dehari”, ka shkruar Bogujevci.
