Kuvendi i Kosovës ka pika të papërfunduara që nga seanca e nisur më 7 gusht.
Për shkak të mungesës së kuorumit, që është bërë problem i vazhdueshëm i Kuvendit, rreth 15 seanca kanë mbetur pa u përmbyllur.
Njëjtë ndodhi edhe me seancën e së enjtes, ku ishin paraparë dy interpelanca të kryeministrit Hoti e 12 pika tjera në rend të ditës, raporton KOHA.
Deputetët nga opozita që morën pjesë në seancë e akuzuan koalicionin qeverisës për dështimin e sigurimit të kuorumit.
Ne seancë përveç deputetëve të PDK-së nuk morën pjesë as ata të Listës Serbe, e cila së fundmi ka nisur t’i bojkotojë partnerët qeverisës.
Por, edhe për shoqërinë civile sigurimi i votave në Kuvend është përgjegjësi kryekëput e koalicionit qeverisës.
Monitoruesi i punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës, Eugen Cakolli, thotë se janë dy mundësi për të dalë nga kjo situatë që e ka bllokuar punën e Kuvendit nëpër seanca, por edhe në komisione.
“Në radhë të parë duhet që shumica pralamentare të zgjerohet, përkatësisht të ketë qasje bashkëpunuese me opozitën, qoftë në zgjerim formal të koalicionit qeverisës apo edhe me trajtimin e mundësive të tjera me ndonjë parti opozitare e cila mund të mos hyjë formalisht në koalicion mirëpo t'i ndihmojë me vota koalicionit qeverisës, siç e kemi pasur rastin e PSD-së. Megjithatë opsioni i dytë që nuk bën të përjashtohet është shkuarja në zgjedhje të reja parlamentare”, ka thënë Cakolli.
Që nga konstituimi, Kuvendi i Kosovës ka arritur t’i miratojë vetëm 13 ligje nga gjithsej 143 që janë paraparë nga Qeveria. Madje nga to vetëm 3 janë projektligje, 10 të tjerat janë marrëveshje ndërkombëtare financiare.