Arbëri

7 muaj joefikasitet të deputetëve

Kuvendi i Kosovës e ka ulur efikasitetin e punës gjatë sesionit të përfunduar këtë javë, në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar Për 7 muaj deputetët miratuan 43 ligje, 44 më pak se në sesionin pranveror të 2022-tës. Monitorues të punës së Kuvendit kanë numëruar si probleme të evidentuara gjatë këtij sesioni edhe mungesën e kuorumit dhe gjuhën joparlamentare

Për shtatë muaj të këtij sesioni pranveror të Kuvendit deputetët nuk arritën të kryejnë as gjysmën e punës që e kanë kryer në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ata kanë miratuar 43 ligje, për dallim prej sezonit të shkuar të pranverës, ku i kishin miratuar 87 sosh.

Kjo mungesë efikasiteti, sipas monitoruesve të punës së Kuvendit, ka ndodhur, ndër të tjera, edhe për shkak të mungesës së kuorumit, që sipas tyre e ka karakterizuar punën parlamentare.

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shpreh kritikën edhe për gjuhën e sjelljet joparlamentare që në një rast përshkallëzuan edhe në përleshje fizike.

“Kemi pasur joefikasitet në miratimin e projektligjeve në tërësi, kemi pasur mungesë të kuorumit në pjesëmarrje në votim për çështje të caktuara, fillimisht nga ana e pozitës e më pastaj nga ana e opozitës parlamentare. Një gjë tjetër që është vërejtur gjatë këtij sesioni pranveror është fenomeni i dështimit të mbledhjeve të kryesisë, fillimisht për shkak të mungesës së nënkryetares nga ana e pozitës dhe më pastaj bojkotit të paralajmëruar nga ana e opozitës parlamentare”, ka thënë Jakaj.

Në mesin e ligjeve të miratuara në këtë sesion është Ligji i pagave, pastaj ai për pagën minimale, Ligji për zyrtarët publikë e Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Por, që të gjitha këto ligje kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese.

Në sesionin vjeshtor Kuvendit në procedurë të shqyrtimit i kanë mbetur 47 projektligje.

Por, për trajtimin e tyre, Jakaj thotë se nuk pret rezultate, nëse ligjvënësit e vazhdojnë punën me këtë ritëm.

“Joefikasiteti në miratimin e projektligjeve do ta përcjellë Kuvendin edhe në sesionin vjeshtor për shkak të, fillimisht po themi, mosdisiplinës së deputetëve nga ana e shumicës parlamentare dhe bojkotit nga opozita”, ka deklaruar ai.

Në mesin e projektligjeve të mbetura për shqyrtim janë edhe gjashtë marrëveshje ndërkombëtare, miratimi i të cilave është i pamundur pa pjesëmarrjen e opozitës në votim.

Jakaj vlerëson se në këtë drejtim, Qeveria nuk ka treguar kurrfarë koordinimi me partitë opozitare dhe si rrjedhojë shumica e marrëveshjeve ndërkombëtare janë hedhur në votim më shumë se tri herë për të marrë epilogun final. Ai sugjeron që shumica të iniciojë diskutime me opozitën për koordinim në përmbushje të agjendës legjislative.

“Qeveria në asnjë moment e as grupi më i madh parlamentar nuk ka tentuar që të dialogojë dhe të ketë konsensus të plotë, sepse asnjë qeveri deri më tash nuk i ka pasur 80 vota. Për qëllim të miratimit dhe të efikasitetit të Qeverisë do të duhej të dialogonte dhe të merrte konsensusin e plotë për miratimin e projektligjeve që janë marrëveshje ndërkombëtare”, ka theksuar ai.

Kuvendit i kanë mbetur pa i shqyrtuar gjashtë projektligje nga viti 2021 dhe 12 nga viti 2022.

Në këtë legjislaturë, për dy vjet e katër muaj, Kuvendi ka miratuar gjithsej 191 ligje. Me numër më të madh të ligjeve të miratuara qëndrojnë vetëm legjislatura e tretë me 205 dhe ajo e katërt me 220 ligje.

Deputetët do ta fillojnë sesionin vjeshtor të hënën e dytë të muajit shtator.

Kritika janë dhënë ndaj legjislativit edhe për mosmbajtjen përgjegjëse të Qeverisë.

Në nenin 97 të Kushtetutës thuhet se Qeveria për punën e vet i përgjigjet Kuvendit të Kosovës.

Në gjetjet e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), në një raport të publikuar të shtunën, vlerësohet se ministrat e Qeverisë e kanë injoruar Kuvendin gjatë parashtrimit të pyetjeve parlamentare.

Shkeljes së Rregullores së Kuvendit në këtë drejtim, sipas IKD-së, i prin zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla-Schwarz, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministri i Mjedisit, Liburn Aliu dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj. Pavarësisht shkeljeve, në IKD thonë se kanë munguar vërejtjet nga ana e kryeparlamentarit Glauk Konjufca.

“Në asnjë nga seancat plenare, siç kërkohet me Rregulloren e Kuvendit, kryetari i Kuvendit nuk ka tërhequr vërejtje publikisht për kabinetin qeveritar për qasjen mospërfillëse ndaj Kuvendit dhe deputetëve”, thuhet në raport.

Në të theksohet se përveç deputetëve, në kuadër të punës legjislative, gjuhë joparlamentare kanë përdorur edhe anëtarët e Qeverisë.

“Në disa raste, anëtarët e Qeverisë përdorën gjuhë seksiste ndaj deputetëve, pastaj fjalët tradhtar, hipokrit, mashtrues, gënjeshtar, rrenc, janë fjalët që janë përmendur nga anëtarët e Qeverisë dhe deputetët, fjalë të cilat nuk përkojnë me gjuhën parlamentare dhe standardet minimale të sjelljes parlamentare”, thuhet në këtë raport.

IKD-ja i ka kërkuar Kuvendit që me prioritet ta trajtojë miratimin e një kodi të sjelljes.