Diana Metushi-Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional në Kosovë po mundëson keqpërdorime me tenderë në vend.
Sipas saj, operatorët ekonomikë të papërgjegjshëm po marrin ndëshkime minimale për vepra penale dhe kjo po ua mundëson atyre të kandidojnë në tenderë sërish në afat të shkurtër kohor.
Këtë e ka lidhur duke thënë se tash “Lista e Zezë e Organit Shqyrtues të Prokurimit është e bardhë si bora”. Sipas Metushi-Krasniqit, lista e zezë s’ka asnjë operatorë ekonomikë nga 2 nëntori për shkak se atyre iu ka skaduar masa e ndëshkimit për diskualifikim nga proceset tenderuese në periudhën deri në një vit.
Në Express Intervistën në KTV ajo ka thënë se duke mos i dërguar në prokurori rastet kur gjenden shkelje nga OSHP-ja ose vetëm sanksionimi me gjashtë apo 12 muaj po mundëson që të shkelet ligji që parasheh se një operator që në dhjetë vjetët e fundit është dënuar për vepër penale, mito apo korrupsion s’ka të drejtë të jetë pjesë e procedurave të prokurimit publik.
“Lista e zezë e operatorëve ekonomikë është e bardhë si bora. Sepse po kemi legjitimimin e veprave që kodi penal i sheh si vepra penale. Këto veprime kur po vërtetohen nuk po dërgohen në prokurori apo nuk po shkojnë në gjykatë e s’po shqiptohet gjoba a dënimi nga gjykata. Ligji e parasheh që një operator ekonomik që në dhjetët vjetët e fundit është dënuar për vepër penale, korrupsion apo mito, nuk ka të drejtë të jetë pjesë e procedurave të prokurimit publik. Si pasojë e kësaj shkëputje ndërinstitucionale ata po sanksionohen vetëm me 6 apo 12 muaj”, ka thënë ajo.
Sipas saj, mosbashkëpunimi ndërinstitucional është paraqitur në çdo raport të progresit viteve të fundit. Ka thënë se ai e parasheh gjithmonë si shqetësim. “Si pasojë ka llogaridhënie të vogël apo ndëshkim të shkeljeve”, ka thënë ajo.
Edhe
KDI: Deri në një vendim të gjykatës të diskualifikohen gjatë tenderimit operatorët që falsifikojnë dokumente
Sot gjatë ditës, KDI-ja kërkoi nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit publik që të iniciojë ndryshimet ligjore për Ligjin e Prokurimit Publik, në mënyrë që operatorët ekonomik që falsifikojnë dokumente gjatë procesit të tenderimit të diskualifikohen deri në vendim të Gjykatës, e jo vetëm 12 muaj siç ndodh tani.
KDI-ja ka bërë të ditur se OSHP-ja më së shpeshti ka lëshuar vendime për diskualifikim të operatorëve ekonomikë për falsifikime të autorizimeve të prodhuesit, falsifikim të katalogëve, falsifikim të certifikatës ISO, falsifikim të certifikatës së ATK-së, falsifikim të vulës dhe tekstit të noterit apo falsifikim të diplomave.
-
Lansimi i Integrity Watch Kosova, Metushi-Krasniqi: Brenda 20 minutave, identifikova tri raste potenciale të korrupsionit
-
Metushi-Krasniqi: Ndonëse s’kishte emergjenca, institucionet nënshkruan kontrata njëburimore
-
Metushi-Krasniqi: Ka tendencë të Qeverisë për ndërhyrje në kompetencat e gjyqësorit
-
Demokraci Plus: Në Kosovë amnistohen kompanitë që diskualifikohen për falsifikim në tenderë