Arbëri

MSH-ja s’bën zgjidhje tash e një vit për 10 inspektorët e Mitrovicës

Ministria e Shëndetësisë vazhdon të mos ofrojë zgjidhje për kushtet e punës së inspektorëve sanitarë në rajonin e Mitrovicës. Prej më shumë se një viti, ata janë të detyruar të punojnë pa zyrë dhe pa mjete bazë gjë që, sipas tyre, po ndikon në ushtrimin e mbikëqyrjes sanitare dhe mbrojtjen e shëndetit publik

Ministria e Shëndetësisë, nën ombrellën e së cilës janë inspektorët sanitarë, nuk ka arritur të gjejë zgjidhje tash e më shumë se një vit për 10 inspektorët e rajonit të Mitrovicës.

Ata vazhdojnë të punojnë pa zyrë dhe pa kushte adekuate pune.

Në kushte anonimiteti, inspektorët janë shprehur të zhgënjyer me situatën në të cilën ndodhen, duke thënë se përballen me mungesë të zyrave dhe kushteve bazë të punës.

“Inspektorati Sanitar i Rajonit të Mitrovicës po përballet me mungesë serioze të kushteve bazë për funksionimin normal. Një nga problemet kryesore është mungesa e zyrave adekuate të punës, gjë që e vështirëson organizimin administrativ dhe ushtrimin e detyrave të përditshme. Aktualisht Inspektorati ka në dispozicion tre (3) vetura zyrtare, ndërsa për mbulimin efikas të territorit nevojitet së paku edhe një (1) veturë shtesë”, thuhet në përgjigjen e një grupi inspektorësh sanitarë.

Këta inspektorë fillimisht kanë ushtruar veprimtarinë në zyra komunale, më pas janë bartur për një periudhë në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës.

Ndërkaq që nga vjeshta e vitit 2024, ata punojnë pa zyrë dhe nga shtëpia.

Sipas tyre, mungesa e mjeteve elementare po e vështirëson punën inspektuese dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

“Po ashtu mungojnë mjetet elementare të punës, përfshirë printerë, letër, stilolapsa, notesa dhe pajisje të tjera bazike administrative, të domosdoshme për zhvillimin normal të punës inspektuese. Këto mungesa po ndikojnë drejtpërdrejt në realizimin e inspektimeve të rregullta dhe në mbrojtjen e shëndetit publik në Rajonin e Mitrovicës”, thuhet në përgjigjen e inspektorëve për KOHËN.

Në korrik të vitit 2025, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka siguruar zyra për inspektorët sanitarë brenda ambientit të IKSHPK-së, por se drejtuesi i Inspektoratit Sanitar pati refuzuar adaptimin e tyre.

Në atë kohë është thënë se, pavarësisht kësaj, ishte në shqyrtim mundësia për sigurimin e hapësirave.
Gjatë ditës së martë në këtë institucion nuk kanë ofruar përgjigje lidhur me këtë çështje. 

Përgjigje nuk ka dhënë as kryeinspektori sanitar Ibrahim Tërshnjaku.

Mbikëqyrja sanitare që duhet të kryhet nga inspektorët përfshin kontrollin e cilësisë së ushqimit dhe të kushteve higjieno-sanitare në objekte të ndryshme.