Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MSH-ja bën thirrje për vaksinim kundër COVID-19 dhe gripit sezonal, por jo fundjavave

Ministria e Shëndetësisë është duke apeluar për vaksinim kundër COVID-19 dhe gripit sezonal, por se thirrja e kësaj ministrie s’mund të shfrytëzohet fundjavave. Pas pesë javëve kur është vaksinuar edhe ditëve të vikendit, që tri javë qendrat e vaksinimit tashmë punojnë vetëm gjatë ditëve të punës.

Arsyetimi i MSH-së për mospunë gjatë fundjavave është me situatën më të qetë epidemiologjike dhe rënien e kërkesave për vaksinim.

“Vaksinimi i një numri të konsiderueshëm të qytetarëve me dozën e parë dhe të dytë të vaksinës kundër COVVID-19 dhe situata epidemiologjike më e qetë ka ndikuar që edhe kërkesat për vaksinim gjatë muajit tetor të jenë në trend të ulët, ndërsa ekipet e vaksinimit gjatë pesë ditëvë të punës ja kanë dalë që pa asnjë problem t’i përgjigjen çdo kërkese për vaksinim”, thuhet në një njoftim të MSH-së.

MSH-ja ka thënë se i ka pranuar 140 mijë vaksina kundër gripit sezonal, por se edhe ato mund të merren vetëm gjatë ditëve të punës nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare, apo ato qendra ku bëhet vaksinimi kundër COVID-19, varësisht prej komunave.

“Ministria e Shëndetësisë njofton se numri i vaksinave kundër COVID-19, ashtu edhe kundër gripit sezonal është i mjaftueshëm, prandaj inkurajohen qytetarët të cilët duhet të vaksinohen, që t’i shfrytëzojnë oraret e përcaktuara gjatë pesë ditëve të punës brenda javës. Vaksinat forcojnë imunitetin tuaj, dhe zvogëlojnë rrezikun e sëmundjes”, thuhet në apel të MSH-së.