Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MPMS ndan 30 certifikata për të rinjtë e shoqatës “Down Syndrome Kosova”

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Vesel Makolli sot mori pjesë në ndarjen e 30 certifikatave për të rinjtë me sindromin down në kuadër të projektit “Fuqizimi i të rinjve me sindromën Down”, projekt ky i nënshkruar muaj më parë në mes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Shoqatës “Down Syndrome Kosova”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Synimi i këtij projekti ishte përkrahja dhe zhvillimi i trajnimeve profesionale për të rinjtë me sindromën doën e më pastaj duke mundësuar edhe punësime për nevojat e kësaj kategorie në shoqërinë tonë. Këto trajnime janë mbajtur në tri qendrat më të mëdha të aftësimit profesional në Kosovë, Prishtinë, Prizren dhe Mitrovicë”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Gjatë këtij takimi Makolli lidhur me punësimin e të rinjve me sindromën down ka thënë se sipas Ligjit Nr. 03/L-019 për Aftësimin, Riaftësimin dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.05/L-078, kuota e përcaktuar është se çdo punëdhënës është i obliguar të punësojë një person me nevoja të veçanta në çdo pesëdhjetë punëtorë.

“Roli i shtetit për personat me nevoja të veçanta është që atyre t’iu mundësojë arsim dhe forma të tjera të aftësimit profesional, pajisje të punës me mjete të nevojshme, përdorimin e shërbimeve me asistent kur është e nevojshme, dhe materialisht të stimulojë punësimin e tyre në një masë të pranueshme dhe t’i detyrojë punëdhënësit për punësimin e tyre” shtoi Makolli.

Ndërsa, drejtoresha e kësaj shoqate, Sebahate Hajdini-Beqiri, tha se, “ky projekt është përmbyllur me sukses, sepse edhe personat me sindromën down kanë potencial dhe kurajë, mirëpo kanë nevojë për më shumë mbështetje”.

Prezent në këtë takim ishte edhe përfaqësuesja e GIZ-it nga departamenti i Aftësive Rinore dhe Punësimit, Julia Becker, ku tha se, “qëllimi i këtij projekti është që këta persona t’i integrojmë sa më shumë në vende të punës sepse është kënaqësi e madhe kur në fytyrat e tyre shohim buzëqeshje”.

Në fund Makolli premtoi se kjo praktikë duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen, për t’iu mundësuar qasjen sa me të lehtë në tregun e punës, fitimin e vendit të punës dhe krijimin e kushteve materiale për jetë.

Artikuj të ngjashëm