Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MPJD: Dakaj na konfirmoi se Serbia po e akuzon për krime lufte

Hasan Dakaj

Ministria e Punëve të Jashtme është deklaruar rreth arrestimit të Hasan Dakajt në Serbi, për çka tha se ambasadori Jetish Jashari e ka vizituar atë në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës Speciale për Krime Lufte të Beogradit, ku po mbahet ai.

Sipas njoftimit të MPJD-së, Dakaj e ka konfirmuar se Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit e ngarkon atë për gjoja krime të luftës kundër popullsisë jo-shqiptare gjatë luftës në Kosovë më 1999.

Sa i përket trajtimit të tij, qytetari Dakaj ka theksuar se deri me tani nuk ka përjetuar ndonjë dhunë fizike apo formë tjetër të maltretimit. Ndërkohë, atij i është lejuar të kontaktojë me telefon familjen e tij.

“Marrë parasysh fushatën përndjekëse dhe veprimet arbitrare të Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe në veçanti atyre që kanë qenë pjesë të luftës çlirimtare, MPJD fton të gjithë qytetarët që të kenë kujdes të shtuar dhe nëse ballafaqohen me vështirësi të natyrave të ndryshme gjatë udhëtimit të tyre nëpër Serbi, që të na kontaktojnë në numrin e telefonit: +383 46 51 00 51”, thuhet në njoftim.

Më tej bëhet e ditur se ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla dhe diplomatët kanë ngritur shqetësimin mbi veprimet e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës dhe i bëjnë thirrje që të angazhohen për lirimin e menjëhershëm të qytetarëve, Hasan Dakaj, Nezir Mehmetaj dhe të tjerëve që mbahen në Serbi.

“Njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet tutje në njoftim.