Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka reaguar ndaj ndalesës që Serbia ia ka vënë tre deputetëve kosovar, Ilir Deda, Vjosa Osmani Sadriu dhe Blerta Deliu Kodra për të marrë pjesë në konferencën për paqe në Beograd.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e thellë dhe e konsideron të papranueshme anulimin e pjesëmarrjes së Kryetares së Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, znj Vjosa Osmani-Sadriu, dhe deputetit, Ilir Deda, në konferencën e titulluar ‘Përmes idesë së BE-së drejt paqes dhe zhvillimit’, e cila ishte paraparë të mbahet me 11 dhe 2 maj, 2018 në Beograd nga ana e Parlamentit të Serbisë”, ka shkruar MPJ në njoftimin për media.
“Ky akt i Parlamentit serb nën presionin e ultra-nacionalistit, Vojisllav Sheshel, i cili është dënuar për krime lufte tregon edhe njëherë mungesën e vullnetit në Beograd për promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe zhvillimin e bashkëpunim rajonal. Është për keqardhje që pikërisht në Ditën e Evropës, autoritetet në Beograd kanë treguar sjelljen e tyre anti-evropiane ndaj Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar”, thuhet më tej në komunikatë.
Ministria e Punëve të Jashtme ka p[paralajmëruar se do ta shtrojë këtë çështje para përfaqësuesve të Bashkimit Evropian si lehtësues të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
-
A ishte ftesa për deputetët e Kosovës në Serbi “gabim administrativ”
-
MPJD-ja kërkon lirimin e shtetasit kosovar të arrestuar në Serbi
-
MPJ ua ndalon hyrjen zyrtarëve nga Beogradi
-
Serbia pengon pjesëmarrjen e delegacionit të Kosovës në konferencën për romët në Beograd
-
MPJ paralajmëron masa ligjore ndaj Serbisë nëse vazhdon ndalimin e kosovarëve