Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar pas sulmit me granatë dore në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut.
Në një postim në faqen zyrtare në Facebook, MPB-ja i ka quajtur këto sulme terroriste.
Bëhet e ditur se Policia ka marrë masat e menjëhershme për hetimin e rasteve dhe identifikimin e autorëve.
“Mbrëmë në orët e vona, ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Veriut është sulmuar me mjet shpërthyes, që sipas ekspertizës dyshohet të jetë granatë dore e llojit M75. Nga ky akt kriminal, janë dëmtuar dhe dy vetura zyrtare që gjendeshin pranë objektit. Policia e Kosovës ka marrë masat e menjëhershme në investigimin e rastit dhe identifikimin e autorëve”, thuhet në njoftim.
MPB-ja ka deklaruar se sulmet e vazhdueshme terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duhet të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë.
Edhe
Dëmtohen dy automjete zyrtare në oborrin e objektit të Komunës, sulmi me granata dore dënohet nga institucionet
“Këto janë tentativa të njëpasnjëshme nga ana e Serbisë për të eskaluar situatën në veri të vendit. Ne mbesim vigjilent dhe të angazhuar për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në njoftim.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka thënë se sulmi i mbrëmshëm me granatë dore M75 në objektin e komunës është padyshim sulm i organizuar terrorist.
“Këto akte kriminale e terroriste që tentojnë të ngjallin frikë nuk do të ia dalin. Institucionet do të funksionojnë pavarësisht sulmeve e kërcënimeve të tilla. Në anën tjetër, unë i bëj thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që ta trajtojnë me urgjencë rastin dhe kryesit e këtij sulmi të vihen sa më parë para drejtësisë”, ka shkruar ai.
Për këtë sulm ka reaguar edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Sipas tij sulmi ka për qëllim frikësimin e banorëve, të cilët ai ka thënë se çdo ditë e më shumë po gjejnë mbështetje për kërkesat e tyre tek autoritetet lokale.
“Sulmi i mbrëmshëm në objektin e Komunës së Mitrovicës Veriore, me granatë dore është sulm në institucionet e vetëqeverisjes lokale, me qëllim të frikësimit të banorëve të cilët çdo ditë e më shumë po gjejnë mbështetje për kërkesat e tyre nga autoritetet lokale”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai ka thënë se e dënojnë fuqishëm sulmin mbi institucionet, pronën publike dhe tentativat e vazhdueshme të grupeve kriminale për destabilizim të situatës.
Edhe
Kurti thirrje Serbisë: Ndalni menjëherë nxitjet për dhunë para se të ketë humbje jete
“Kryetari Erden Atiq dhe ekipi i tij është në shërbim të qytetarëve pas asnjë përjashtim dhe do të vazhdoj punën e tij pavarësisht kërcënimeve dhe sulmeve nga bandat kriminale”, ka shkruar Krasniqi.