Reforma në administratën publike po shihet si një proces i gjatë që kërkon kohë dhe punë.
Naser Shamolli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka thënë se reforma e administratës publike si proces është mjaftë kompleks, sidomos me mos zbatimin e ligjeve në praktikë, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, Kosova duhet të bëjë legjislacionin për pagat e shërbyesve civilë.
“Fillimisht duhet parë se reforma e administratës publike është proces i vazhdueshëm dhe kompleks në të njëjtën kohë, dhe krahasuar me vendet e tjera nuk qëndrojmë edhe aq keq, dhe sigurisht që ka vend për përmirësime. Për gjendjen e reformës publike sigurisht që tregojnë raportet e sidomos ato tipi i Raportit të Progresit. Po korniza ligjore kryesisht është e vendosur, dhe është ndoshta më e mira në rajon sa i përket reformës në administratën publike, përkundër që Ligji i pagave është anuluar, janë edhe dy ligje tjera, por problemi është që ato ligje ende nuk janë duke u zbatuar”, ka thënë Shamolli.
Mes tjerash, Shamolli thekson se barrën kryesore tashmë e ka Qeveria, e që sipas tij, duhet të jetë më e përfshirë në konceptet dhe reformën e administratës publike.
“Tash barrën kryesore e ka Qeveria, dhe në këtë aspekt duhet me qenë me një qasje shumë inkluzive dhe kisha cekur disa nga hapat që duhet me pasë prioritet të shtuar. E para është që të përfundohet procesi i ristrukturimit të ministrive e që ende nuk është vendosur në praktikë, hapi i dytë është që të bëhet klasifikimi i vendeve të punës dhe një analizë e punës në përgjithësi, dhe hapi i tretë është që të bëhet racionalizimi i agjencive, proces i filluar shumë më parë”, ka shtuar ai.
Sa i përket çështjes së buxhetit, Shamolli ka thënë se do ishte e udhës formimi i një administrate profesionale dhe të gatshme për të marrë sa më shumë projekte nga Komisioni Evropian.
Sadri Rrmoku nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, ka thënë për EO se Kosova vitin e fundit ka bërë një progres sa i përket ligjeve dhe reformave administrative, dhe që tashmë i takon Qeverisë të ecë me aktet nënligjore.
“Kosova vitin e fundit ka bërë një progres në fushën e reformës në administratën publike. Me miratimin e pakos së ligjeve të reformës së administratës, Kosova ka ecur në një hap tutje në lidhje me këtë temë, e megjithatë mbetet që Qeveria e Kosovës të ecë me aktet nënligjore që dalin si obligim prej ligjeve të pakos e të njëjtën kohë edhe përgatitjen e stafit që të ambientohen me ligjet që do miratohen në të ardhmen të jenë sa më të aplikueshme. Raportet e fundit dalin me gjetjet që ka tepricë të shërbyesve civil, dhe që shumë komuna nuk e respektojnë rregullin për kokë banori dhe ligjet e parapara të nëpunësve civilë. Faktikisht gjitha raportet dalin me gjetje se kemi tepricë të stafit në shërbyes civilë, e nëse e shohim vendimin mbi përcaktimin e kritereve për numrin e shërbyesve civil në nivel lokal, ky vendim i përcakton dy lloje te kriteret të cilat janë bazë për të gjitha komunat, dhe që duhet të kenë 55 punonjës statik në komunë, kurse lloji tjetër i kritereve, janë ato suplementare dhe që ia përcakton komunave me mbi 100 mijë banorë, të kenë një punonjës për 620 qytetarë. Megjithatë edhe në komuna gjendja është e njëjtë dhe ato nuk e respektojnë rregullin”, ka deklaruar Rrmoku./EO