Të martën [sot] në Kosovë do të mbajë mot kryesisht me diell. Në fushat termike do të ketë rritje të lehta në vlerat e maksimaleve për 1-2 gradë Celsius.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale do të sillen mes 11 dhe 15 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale mes 29 dhe 33 gradë Celsius.
Ky mot me këto temperatura tipike verore është si rezultat i ardhjes së masave të nxehta të ajrit nga Afrika Veriore.
Shkalla e lartë e avullimeve do të krijojë vapë dhe ndjesia e këtyre temperaturave do të jetë më e lartë se sa vlerat e lartshënuara.
“Meqë indeksi UV do të jetë shumë i lartë, rekomandohet që të kufizohemi sa më shumë nga rrezet e diellit, nga ora 10:00-1700, sidomos personat me sëmundje kronike, hipertension, diabetikët, asmatikët etj., të bartim syze mbrojtëse nga rrezet e diellit, ombrellë, rroba me ngjyra të lehta, krema adekuate për mbrojtjen e lëkurës, pastaj të pimë ujë sa më shpesh, jo lëngje të gazuara etj”, thuhet në thirrjen e IHMK-së për kujdes.