Albert Krasniqi, hulumtues në organizatën “Demokraci Plus”, ka numëruar mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në veri si një prej skenarëve që mund të zbatohen deri në gjetjen e një zgjidhjeje. “Njëra mënyrë është që të krijohet një bazë ad hoc ligjore, e cila ia mundëson presidentes që të bëjë shtyrjen e zgjedhjeve, por gjithmonë në konsultim me partitë politike. Ose e dyta, përmes shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme që i mundëson deri në 90 ditë të shtyhen zgjedhjet, aq sa mund të zgjasë gjendja e jashtëzakonshme. Por, nëse kërkohet përtej kësaj date ose përtej këtij afati, duhet që të ketë një votim në Kuvend dhe të jetë Kuvendi institucioni që e mundëson shtyrjen përtej këtij afati”, ka thënë ai
Vetëm një subjekt politik ka aplikuar për certifikimin e pjesëmarrjes në zgjedhjet e
jashtëzakonshme që janë caktuar të mbahen më 18 dhjetor në katër komuna veriore të Kosovës, dy ditë para përmbylljes së afatit të përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Zgjedhjet në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin-Potokut janë shpallur pas dorëheqjes së kryetarëve në kundërshtim të vendimit të Qeverisë së Kosovës rreth targave.
Valmir Elezi, zëdhënësi i KQZ-së, ka bërë të ditur se kërkesë për pjesëmarrje në zgjedhje ka paraqitur vetëm Iniciativa Qytetare Mitrovica, me kandidatin e saj për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut.
“Mbështetur në praktikat e së kaluarës, është zakonisht dita e fundit që shfrytëzohet nga subjektet politike për të paraqitur aplikimet e tyre për pjesëmarrje në zgjedhje. Por, është në vullnetin e tyre për të paraqitur këto aplikime”, ka thënë ai.
Subjektet politike kanë kohë deri më 21 nëntor në orën 16:00 që të aplikojnë për pjesëmarrje në zgjedhjet në komunat e banuara me shumicë serbe. Partitë serbe kanë konfirmuar mospjesëmarrjen në zgjedhje, qysh në ditën e shpalljes së tyre më 14 nëntor nga presidentja Vjosa Osmani.
Mosparaqitja e kandidatëve për kryetarë të katër komunave veriore rrezikon që ta vërë në dyshim mbajtjen e zgjedhjeve.
Albert Krasniqi, hulumtues në organizatën “Demokraci Plus”, ka thënë presidentja Osmani do të duhej t’i shqyrtonte të gjitha mundësitë ligjore para se ta shpallte datën e zgjedhjeve.
“Zgjedhjet nuk janë vetëm një procedurë, e cila është teknikë e organizimit, por është e një konsensusi politik dhe në këtë mënyrë, në këtë drejtim, nuk ka pasur përpjekje nga ana e presidentes që të shtjerrë të gjitha mundësitë dhe të sigurohet që në këto komuna të ketë vërtet zgjedhje dhe që qytetarët të mund të ushtrojnë ato alternativa politike dhe vullnetin e tyre politik. Për këtë arsye është ai 10-ditëshi, në të cilin thuhet se presidentja i konsulton partitë politike për të parë edhe vullnetin, por edhe për të caktuar datën e shpalljes së zgjedhjeve”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka numëruar mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në veri si një prej skenarëve që mund të zbatohen, deri në gjetjen e një zgjidhjeje.
“Njëra mënyrë është që të krijohet një bazë ad hoc ligjore, e cila ia mundëson presidentes që të bëjë shtyrjen e zgjedhjeve, por gjithmonë në konsultim me partitë politike. Ose e dyta, përmes shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme që i mundëson deri në 90 ditë të shtyhen zgjedhjet, aq sa mund të zgjasë gjendja e jashtëzakonshme. Por nëse kërkohet përtej kësaj date ose përtej këtij afati, duhet që të ketë një votim në Kuvend dhe të jetë Kuvendi institucioni që e mundëson shtyrjen përtej këtij afati”, ka thënë Krasniqi.
Adnan Rrustemi, ish-anëtar i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka cekur domosdoshmërinë e funksionalizimit të kuvendeve komunale.
“Duhet të funksionalizohen edhe kuvendet komunale në këto komuna, por që është një proces që mendoj se duhet të përmbushet dhe të realizohet përgjatë procesit të zgjedhjeve për kryetarë të komunave. Natyrisht, KQZ-ja tani i ka të gjitha autorizimet kushtetuese dhe ligjore për të organizuar dhe administruar zgjedhjet atje. Nuk shoh ndonjë pengesë në kuptimin e tillë të legjitimitetit. Zgjedhjet lokale janë për t’u ofruar administratë qytetarëve atje për shërbime publike në interes të tyre”, ka thënë Rrustemi për KosovaPressin.
Qeveria e Kosovës ka ndarë të premten 310 mijë e 183 euro për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në Mitrovicë të Veriut, Zubin-Potok, Leposaviq dhe Zveçan teksa ka miratuar edhe vendimin për shpërndarjen e Kuvendit Komunal të Zveçanit dhe të Leposaviqit, me arsyetimin e jofunksionalitetit të tyre e si pasojë edhe pamundësisë së ushtrimit të kompetencave ligjore.
Kryetarët e komunave veriore patën dhënë dorëheqje duke iu bashkuar vendimit të serbëve të veriut për t’u larguar nga institucionet e Kosovës, shkaku i pakënaqësisë rreth vendimit për konvertimin e targave nga ato ilegale në RKS.